Afati i dytë i maturës shtetërore, maturantët presin rezultatet e provimit

14.08.2026 15:18

Një test, disa orë përqendrim dhe shumë pritshmëri...

Një test, disa orë përqendrim dhe shumë pritshmëri për atë që vjen më pas. Për maturantët, provimi i sotëm ishte më shumë se një testim, ishte një nga hapat e fundit të arsimit të mesëm, si kusht për tu bërë pjesë e botës akademike.

“Shumë mirë, testi ishte pak i vështirë, por i bëra përgjigjet, kisha mësuar. Tani besoj se e kam kaluar testin. Jo këtu sepse dua këtu të studioj, të mësoj këtu në shtetin tim, në shtet tjetër nuk mundem.” – tha maturanti, Xhihad Hasani.

Përveç njohurive, matura këtë vit sjell edhe një zgjedhje të re për nxënësit e arsimit profesional. Për herë të parë, ata mund të orientohen në tre lloje të maturës – shtetërore, shtetërore profesionale dhe shtetërore artistike.

Në shkollat profesionale, kjo zgjedhje ka sjellë edhe një situatë tjetër. Pavarësisht pritshmërive, më shumë nxënës janë orientuar drejt maturës shtetërore, e cila u mundëson aplikimin në më shumë drejtime studimore.

“Ne pritshmëritë i kishim më ndryshe, duke marrë parasysh që u bë koncepti i ri i maturës shtetërore, në pritshmëritë në shkollën tonë i kishim që numri më i madh do të jetë i paraqitur në maturën shtetërore profesionale, por ndodhi e kundërta, krejt u orientuan në maturë gjimnazore. Arsyeja mund të jetë sepse nëse shkojnë në maturë shtetërore gjimnazore i kanë dyert e hapura në çdo fakultet, te këto profesionale orientimi duhet të jetë sipas profesionit. Pra, vetëm në drejtime të elektros, makinerisë dhe drejtimet e komunikacionit.” – tha Sekretari i maturës, Kastriot Kasapi.

Në ASUC “Boro Petrushevski”, provimi u zhvillua pa probleme dhe në kohë. Në këtë qendër sot u testuan maturantë nga disa shkolla, gjithsej rreth 50 nxënës.

“Procesi po zhvillohet rregullisht, nuk ka asnjë problem. Maturantët kanë ardhur në kohë dhe provimi ka filluar në kohë. Sot po japin provimin maturantë nga disa shkolla, gjithsej janë rreth 50 nxënës. Pres që të gjithë ta kalojnë testin. Ata që kanë dhënë maksimumin dhe që nuk janë frikësuar në këtë moment, do të përpiqen të nxjerrin maksimumin nga vetja dhe të arrijnë rezultatet që dëshirojnë. Gjithsesi, ata e shohin të ardhmen e tyre duke vazhduar në një nga fakultetet, qoftë në vend apo jashtë shtetit.” – u shpreh Drejtori i SHMK “Boro Petrushevski” – ASUC, Aleksandar Strezov.

Për maturantët, testi i sotëm është edhe një pikë ndarëse mes asaj që kanë mësuar dhe profesionit që e synojnë. Rezultatet do të tregojnë nëse ky hap u kalua me sukses, ndërsa më pas për shumë prej tyre nis një tjetër sfidë, arsimimi i lartë në fakultetin që do të zgjedhin. (Sanije Duraku, TVM2)