Gostivar, merr fund ndalesa, uji i çezmes sërish i pijshëm
Në çezmet e Gostivarit sërish rrjedh ujë i pijshëm...

Në çezmet e Gostivarit sërish rrjedh ujë i pijshëm. Kështu thonë institucionett kompetente bazuar në analizat njëmujore dhe kontrollet e kryera. Analizat laboratorike të kryera nga ana e Institutit të Shëndetit Publik të RMV-së dhe nga Ndërmarrja Publike për Ujësjellës dhe Kanalizim në Shkup, kanë konstatuar se uji në Gostivar është i pijshëm, thonë nga Agjensia për ushqim dhe veterinari.
Ata rekomandojnë qytetarët që uji të konsumohet racionalisht dhe para se të pihet të lihet të rrjedhë disa sekonda nga rubineti për konsum.
“Agjensia për ushqim dhe veterinari i njofton qytetarët në Gostivar se nga dita e sotme, e premte, 14.08.2026, uji mund të shfrytëzohet për pije. Pas rezultateve të fundit të analizave laboratorike vërtetohet se mikrobiologjikisht, fizikisht dhe kimikisht, uji është në rregull, respektivisht parametrat e analizuara përfshirë edhe klorin rezidual janë brenda kufijve të paraparë me rregulloren për ujë të pijshëm.” – tha Drejtori i Agjensisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Millanov.
Nga Shtabi i Krizës njoftojnë se angazhimi tani do të përqëndrohet në sigurimin e sasisë së ujit.
“Sot më e rëndësishmja është se kjo krizë po përfundon me një lajm të mirë për qytetarët e Gostivarit, uji i sistemit të ujësjellësit është i sigurt për pije dhe qytetarët mund t’i rikthehen përdorimit të tij normal. Sa i përket kuantitetit të ujit, ekipet e ndërmarrjes publike ‘Komunalec’, Kryetari, janë të angazhuar që sa më shpejt të zgjidhet çështja e kuantietit të ujit. Në këtë drejtim është duke u punuar që rezervuari në fshatin Banjicë e Epërme të vëndohet në funksion dhe katër vendbanimet të kenë ujë të mjaftueshëm për pije.” – u shpreh Koordinatori i Shtabit Lokal të Krizës, Zudi Xhelili.
Xhelili poashtu njoftoi se së shpejti skadon kontrata e Ndërmarrjes publike “Komunalec” me Qendrën për Shëndet Publik dhe do të kërkohet që kjo masë e kotrollit të të rritet nga dy në tri matje brenda javës, me qëllim që uji të monitorohet më mirë.
Ndërkohë, hetimi për zbardhejn e rastit për ujin e ndotur është në fazë të avancuar derisa në paraburgim mbeten drejtoresha e Ndërmarrjes publike “Komunalec” dhe dy drejtues të ndërmarrjes, të cilët dyshohen se përmes vendosjes së paligjshme të pompave, kanë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
