Integrimi, bisedimet ‘nën radar’, Zhernovski: Mucunski gënjen për deklaratën

14.08.2026 16:37

Socialdemokratët akuzojnë Ministrin e punëve të Jashtme, Timço Mucunski...

Socialdemokratët akuzojnë Ministrin e punëve të Jashtme, Timço Mucunski, se është kapur në gënjeshtër sa i takon deklarimit të tij rreth bisedimeve eurointegruese.

Andrej Zhernovski nga LSDM thotë se vetë Mucunski është shprehur se po zhvillohen bisedime ‘nën radar’ apo të fshehta, ndërkaq tani mohon veten se nuk ekziston një qasje e tillë, edhe përkundër shpërthimit të lajmit në më shumë media.

Sipas Zhernovksit është deklarata e vetë Mucunskit, e jo shpikje e LSDM-së, për të cilën sipas socialdemokratëve do të duhet të mbartet përgjegjësi.

“Opinioni të bindet se kush e zbuloi në të vërtetë strategjinë dhe projektin e ri të qeverisë së Mickoskit. Nuk bëhet fjalë për heshtje, sa i përket Mucunskit nuk bëhet fjalë për ndonjë mohim, por ai thjesht është kapur duke gënjyer. Është një skenar i njohur që e kemi parë edhe më parë, por është interesante që Mucunski po paraqitet në këtë rol. Pasi zgjidhi situatën në Komunën e Aerodromit dhe vuri në vijë diplomacinë tonë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, tani ai është ngarkuar me menaxhimin e politikës së brendshme. Dhe tani, ai do të kërcënojë opozitën dhe qytetarët, duke i akuzuar ata për përhapje paniku.” – u shpreh Sekretari për Bashkëpunim Ndërkombëtarë në LSDM, Andrej Zhernovski.

VMRO-DPMNE: Nuk ekziston deklaratë e tillë

Nga VMRO – DPMNE kanë nënvlerësuar paraqitjen e Zhernovskit para mediave duke e cilësuar atë të pa qëllimtë. Ata këmbëngulin se Mucunski nuk ka dhënë deklaratë për bisedime ‘nën radar’.

“Sa i përket ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ai shërbehet me tituj mediatikë sepse nuk gjen dot asnjë deklaratë të vetme, sepse një deklaratë e tillë nuk ekziston. Flet për lirinë e shprehjes, e megjithatë shfaqen vazhdimisht në televizion dhe në media, sajojnë çështje, përpiqen të nxisin incidente të dhunshme dhe shkojnë edhe më tej duke përhapur frikë e panik – gjithçka për hirë të vëmendjes së publikut dhe medias”, shprehen nga VMRO – DPMNE.

Para dhjetë ditëve Mucunski pati theksuar se po zhvillohen bisedime ‘nën radar’ për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por se detajet nuk mund të bëhen publike, pasi kjo do ti rrezikonte negociatat. (Meral Ismaili, TVM2)