Janevska, 2000 regjistrime më pak në Universitete
Në të gjitha universitetet janë ulur kuotat...

Në të gjitha universitetet janë ulur kuotat për regjistrimin e studentëve në vitin e parë akademik, 2026-2027. Këtë e ka bërë të ditur Misnitreja e Arsimit, Vesna Janevska sipas së cilës në disa profesione ka shumë të papunë pasi nuk ka nevojë tregu i punës, ndryshe nga profesione të tjera ku paraqitet mungesë e kuadrit.
Janevska në një intervistë për “MIA”, thotë se këtë vit në të gjitha universitetet janë ulur rreth 2.000 vende, por është e bindur se të gjithë studentët do ta gjejnë vendin e tyre aty ku dëshirojnë të studiojnë.
“Kemi ulur më shumë në drejtimet e administrimit të biznesit, administratës publike, diçka në Fakultetin Ekonomik, në Juridik, sepse aty paraqitet numër më i madh i të papunëve, në drejtimet mjekësore. Ndërsa, në të kundërtën, drejtimet teknike, informatika, makineria, ndërtimtaria, pothuajse kanë mbetur identike. Aty punësueshmëria është në nivel të shkëlqyer dhe arrinë diku deri në 98-99 për qind”, deklaroi Janevska.
Ajo pret që në fund të këtij muaji të vazhdojë diskutimi për tre ligjet për arsimin e lartë dhe shkencën, të cilat në Kuvend janë bllokuar nga opozita shqiptare, e cili këmbëngul për zbatimin e parimit të Badenterit gjatë miratimit të tyre.
