Maqedoni
Ethet e Nilit Perëndimor, edhe një viktimë, 5 të vdekur deri më tani, 21 pacientë në infektive
22.08.2026 15:26
Në Maqedoni është regjistruar edhe një rast tjetër i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor...

Në Maqedoni është regjistruar edhe një rast tjetër i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor, bëri të ditur sot drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana. Sipas Canës, bëhet fjalë për një pacient 73-vjeçar, i cili kishte një gjendje të rëndë klinike dhe sëmundje të shumta shoqëruese, të cilat kanë ndikuar në përfundimin fatal.
“Pacienti qëndroi 22 ditë në Klinikën Infektive dhe që nga pranimi ishte në gjendje shumë të rëndë. Ishte i shtruar në Repartin e Mjekimit Intensiv dhe ishte vendosur në mbështetje respiratore.”, u shpreh drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana.
I ndjeri ishte nga Shkupi, më saktësisht nga lagjja Aerodrom. Sipas drejtorit të Klinikës për Sëmundje Infektive, pothuajse çdo ditë hospitalizohet nga një pacient i ri, ndërsa aktualisht në Klinikë janë të shtruar rreth 20 deri në 21 pacientë.
Ndërkohë, qytetarët thonë se këtë periudhë ka shumë mushkonja dhe se për t’u mbrojtur përdorin repelentë, rrjeta në dritare dhe mjete të tjera mbrojtëse, ndërsa gjatë qëndrimit jashtë bëjnë kujdes të shtuar.
“Largohemi nga vendet ku mund të ketë mushkonja dhe përdorim mjete mbrojtëse kundër tyre.”, u shpreh një qytetar.
“Sa të duash ka mushkonja. Edhe pse është thatësirë, ka shumë mushkonja.”, tha një qytetar.
“Përdorim mjete mbrojtëse dhe rrjeta që të mos hyjnë brenda. Ndërsa jashtë, bëjmë kujdes maksimal. Nuk shoh mënyrë tjetër.”, theksoi një qytetar.
“Aty ku jetojmë, në ato hapësira, vendosim uthull, rozmarinë dhe limon, sepse nga këto mushkonjat largohen. Edhe kondicionerin e lëshoj në të ftohtë dhe ato largohen.”, u shpreh një qytetar.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, përdorim të mjeteve mbrojtëse kundër mushkonjave, vendosjen e rrjetave në dritare e dyer dhe veshje të gjata.
Kujdes i veçantë kërkohet në mbrëmje, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe rekomandohet shmangia e hapësirave me ujëra të grumbulluara.
Me rastin e fundit, numri i personave që kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në vend ka arritur në pesë, ndërsa deri më tani janë regjistruar gjithsej 43 raste të të prekurve.
ARMEND MURSELI
