Maqedoni
Nis ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë, forcon lidhjen ekonomike mes RMV-së dhe Kosovës
26.08.2026 15:12
Sot zyrtarisht kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë...

Pas më shumë se një dekade premtimesh dhe paralajmërimesh, zyrtarisht kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë, autostradë me gjatësi prej 10.5 km, apo siç njihet faza e dytë, dhe e cila do të kushtojë rreth 200 milionë euro. Ky projekt i rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, pritet të përfundojë për katër vite.
Nën organizimin e të dy Qeverive, asaj të RMV-së dhe asaj të Republikës Kosovës, u vendos gurthemeli i autostradës Shkup – Bllacë, autostradë kjo e cila do të jetë e gjatë 12.5 km, ndërsa vlera e sajë kap shifrën e rreth 200 milionë euro, nga të cilat 167 milionë euro janë siguruar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe 32 milionë euro janë grande, të cilat janë siguruar për këtë autostradë. Sigurisht se shumë të lumtur u shprehën të dy kryeministrat, ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.
“Dua t’i them tre çështje, të cilat nuk u thanë. Porosia ime e parë është se pas më shumë se 20 vitesh, ky projekt po bëhet realitet, premtim i dhënë në fillim të kësaj Qeverie, dhe ka qenë prioritet i kësaj Qeverie. Porosia ime e dytë do të jetë se pas kësaj autostrade do të fillojmë me autostradën nga Bukojçani deri në Kërçovë, dhe me këtë po punohet në 6 autostrada përnjëherë. Dhe porosia ime e tretë do të jetë se kur ne si vende ndërtojmë rrugë, autostrada, ne po ndërtojmë ardhmëri, ardhmëri për të rinjtë tanë, që familjet e tyre dhe ardhmërinë ta kërkojnë dhe ndërtojnë në vendin e tyre.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dhënat statistikore tregojnë se shkëmbimi tregtar dhe i njerëzve në të dyja anët e kufirit, na bënë të mendojmë për një investim të tillë.
“Jam i lumtur që ndodhem këtu bashkë me juve në këtë moment kur po hedhen themelet e një lidhje të re dhe moderne mes dy vendeve tona. Autostrada Shkup - Bllacë me 5 tunele, 8 ura dhe 4 galeri, do ta forcojë shumë më tepër lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe RMV-së. Ne jemi dy shtete që kanë qarkullim të lartë të qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit, kalojnë rreth 54 mijë maune në vit apo rreth 150 maune në ditë. Andaj çdo kilometër i ri rrugë që na ofron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Gjithashtu këtij vizioni i përket edhe projekti Prizren – Tetovë, që po e realizojmë gjithashtu.”, - deklaroi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa për ministrin e Transportit të RMV-së, Aleksandar Nikollovski, RMV-ja me ndërtimin e këtyre autostradave po bëhet udhëkryqi kryesor në Ballkan.
“Është një lidhje e fuqishme e shtetit tonë me Kosovën dhe me Malin e Zi, dhe hapja e lidhjeve tona me dy portet detare, atë të Durrësit dhe atë të Barit, dhe vendosja e Maqedonisë si një udhëkryq kryesor i Ballkanit.”, - u shpreh ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
“EBOR është e lumtur që do ta ndihmojë këtë projekt me një huamarrje prej 167 milionë euro, dhe këto janë përpjekjet tona që ta ndihmojmë vendin tuaj me qëllim zhvillimin e infrastrukturës. Sigurisht se nuk ka qenë e lehtë të vijnë punët deri këtu.”, - theksoi shefi i Zyrës së Bankës Evropiane për Ndërtim në RMV, Fatih Turkmenogllu.
Sipas planit të realizimit, ky projekt do të ketë dy korsi në të dyja drejtimet, apo më mirë thënë gjerësia e kësaj autostrade do të jetë 27.5 metra, dhe afati i përfundimit është katër vite, ndërsa rruga e tanishme do të shfrytëzohet si rrugë alternative.
FITIM KRYEZIU
