Botë
Ethet e Nilit Perëndimor, regjistrohet viktima e gjashtë në vend
27.08.2026 14:24
Një tjetër pacient ka ndërruar jetë nga infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave në vend....

Një tjetër pacient ka ndërruar jetë nga infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave në vend. Bëhet fjalë për një 72-vjeçar nga Shkupi, por që kishte edhe sëmundje të tjera të rënda shoqëruese. Sipas drejtorit të Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, pacienti që nga pranimi, ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.
“Bëhet fjalë për një pacient 72-vjeçar, i cili u shtrua 15 ditë më parë në klinikë në një gjendje të përgjithshme jashtëzakonisht të rëndë, me një pamje klinike të rëndë. Pavarësisht të gjitha masave intensive të marra në repartin e kujdesit intensiv, dje pasdite ai ndërroi jetë.”, - deklaroi drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana.
Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive po trajtohen 18 pacientë. Më i riu prej tyre është një 26-vjeçar, fatmirësisht në gjendje të mirë shëndetësore. Gjendja më e rënduar paraqitet te pesë pacientë, të gjithë të moshës së shtyrë.
“Aktualisht në klinikë janë të shtruar 18 pacientë, 15 prej tyre me infeksion të konfirmuar me virusin e Nilit Perëndimor dhe tre të dyshuar. Pacienti më i ri është 26 vjeç dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Pesë pacientë, të gjithë në moshë të shtyrë, janë në kujdes intensiv me gjendje të rëndë klinike.”, - theksoi drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana.
Deri tani janë 53 persona të prekur ose të dyshuar si të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor. Te 50 prej tyre virusi është i konfirmuar, ndërsa për tre të tjerët priten rezultatet e testeve shtesë. Brenda një jave janë regjistruar më shumë se dhjetë raste të reja, madje një ditë më parë u regjistrua edhe rasti i parë në Kumanovë. Prej rasteve të konfirmuara, 27 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga spitali. Ekspertët nuk e dinë nëse ka kaluar piku i virusit për shkak se si gushti, po ashtu edhe shtatori, janë zakonisht muajt me transmetimin më intensiv të virusit të Nilit Perëndimor në Evropë. Kulmi i epidemisë në vend nuk mund të parashikohet saktësisht, por do të identifikohet më qartë kur numri i rasteve të reja të nisë të bjerë në mënyrë të vazhdueshme.
ABIBE QAILI
