Maqedoni
Zjarret, 4 aktive, 24 janë shuar, ndalimi i lëvizjes në pyje vazhdon deri më 30 shtator
27.08.2026 14:57
Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se 4 zjarre janë aktive, 3 janë nën kontroll dhe 24 janë shuar....

Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se 4 zjarre janë aktive, 3 janë nën kontroll dhe 24 janë shuar. Zjarret aktive janë në Studeniçan, Zelenikovë, Gostivar, Makedonski Brod, Çashkë dhe Strugë, kryesisht në zona pyjore, kullota dhe me vegjetacion të ulët. Nën kontroll janë zjarret në Kërçovë (Tajmishte) dhe Dellçevë (deponia dhe fshati Strëmnicë).
“Zjarri i parë është ky pas meje, në territorin mbi fshatin Kopanicë, në zonën e fshatit Saraj. Zjarri po lëviz në drejtim të Tetovës, në malin Zheden. Para disa ditësh arritëm ta shuanim një zjarr në këtë zonë. Ky është një zjarr i ri, që me shumë gjasë është vënë qëllimisht. Ende nuk i dimë motivet, por policia po punon për zbulimin e autorëve. Për shkak të frymës, zjarri po përhapet me shpejtësi drejt kreshtës së malit. Për këtë arsye vendosëm të aktivizojmë avionët “Air Tractor” të Drejtorisë, të cilët tashmë kanë nisur veprimin.”, - deklaroi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angellov.
Ministria e Bujqësisë informoi se ndalimi i lëvizjes në pyje zgjatet deri më 30 shtator 2026 dhe u bën thirrje qytetarëve për kujdes të veçantë, me qëllim parandalimin e zjarreve në hapësira të hapura. Nga Ministria bëjnë thirrje që të shmanget ndezja e zjarreve gjatë periudhave me erë të fortë ose mot të thatë, si dhe të përdoren metoda më të sigurta për pastrimin e tokës dhe largimin e materialeve të djegshme. Fermerët dhe blegtorët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë kryerjes së aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të mos shkaktohet djegie e pakontrolluar e tokave bujqësore dhe kullotave, gjë që është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe përbën vepër penale, apelojnë nga Ministria.
ARMEND MURSELI
