Maqedoni
Nesër nxënësit do të kthehen në bankat shkollore, mbi 238 mijë nxënës do të fillojnë vitin e ri shkollor
31.08.2026 14:14
Nesër më 1 shtator, zyrtarisht do të nisë viti i ri shkollor 2026/2027 për rreth 238 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm...

Nesër më 1 shtator, zyrtarisht do të nisë viti i ri shkollor 2026/2027 për rreth 238 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm. Mësimi do të zgjasë deri më 10 qershor, ndërsa për maturantët viti shkollor do të përfundojë më 17 maj vitin e ardhshëm. Këtë vit rreth 15 mijë filloristë do të ulen për herë të parë në bankat shkollore. Në gjithsej 626 objekte shkollore mësimi do të zhvillohet në një ndërrim, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Sipas saj, mësimi në një ndërrim është koncept për të cilin angazhohet Qeveria, pasi u mundëson nxënësve më shumë përqendrim gjatë orëve mësimore dhe socializim më të madh. Ajo theksoi se janë siguruar tekstet shkollore për klasat e para, të dyta, të treta dhe të teta, si dhe për vitin e dytë të arsimit të mesëm gjimnazial. Librat tashmë ndodhen nëpër shkolla, ndërsa nxënësit do të mund t’i marrin që nga dita e parë e vitit shkollor, tha Janevska, duke theksuar për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore, në shkollat fillore janë angazhuar 1.358 asistentë, ndërsa në shkollat e mesme 166.
“I bëjmë thirrje komunave që të fillojnë zbatimin e mësimit në një ndërrim në sa më shumë shkolla, ndërsa në këtë drejtim po ndërtojmë objekte të reja dhe po zgjerojmë klasat. Ne jemi përkushtuar ndaj të gjitha aspekteve të procesit arsimor, ndaj pres një fillim të suksesshëm të vitit shkollor. Për të tretin vit me radhë, tekstet shkollore janë siguruar me kohë, janë shpërndarë dhe që nesër mund t’u ndahen nxënësve.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Janevska njëherësh thotë se këtë vit shkollor është bërë optimizimi i paraleleve në shkolla, përkatësisht bashkimi i paraleleve me numër më të vogël nxënësish me ato më të mëdha. Sipas Janevskës, kjo masë është në interes të nxënësve, pasi do të mundësojë socializim dhe mësim më të mirë, ndërsa nuk do të ndikojë në uljen e numrit të kuadrit arsimor.
“Gjatë këtij viti, në sistemin arsimor do të kemi 433 paralele më pak. 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm. Subjekte të caktuara politike u përpoqën që këtë ta paraqesin si një hap të tmerrshëm, si një kolaps të arsimit, por në fakt është një ndryshim pozitiv, para së gjithash për nxënësit. Në të njëjtën kohë, asnjë mësimdhënës i punësuar me marrëdhënie të rregullt pune nuk është larguar nga puna. Nesër, të gjithë vazhdojnë të punojnë me klasat e tyre. Këtë nuk e kemi bërë kudo në Maqedoni, duke pasur kujdes edhe për kuadrin mësimdhënës.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Janevska edhe njëherë përsëriti se këtë vit janë mbyllur 26 shkolla rurale, në të cilat nuk është regjistruar asnjë nxënës i klasës së parë. Në disa prej këtyre shkollave, deri tani mësimin e kanë ndjekur vetëm nga pesë deri në tetë nxënës. Janevska po ashtu paralajmëroi se në mars të vitit 2027, të punësuarit në arsim do të marrin rritje të re të pagave prej 7.5 deri në 10 për qind, në varësi të shkallës së inflacionit.
REXHEP QAMILI
