Maqedoni
Ethet e Nilit Perëndimor, në Klinikën Infektive të hospitalizuar 8 pacientë
07.09.2026 14:50
Në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të hospitalizuar tetë pacientë me ethet e Nilit Perëndimor....

Në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të hospitalizuar tetë pacientë me ethet e Nilit Perëndimor. Vdekja e tetë nga ky virus është regjistruar gjatë fundjavës. Bëhet fjalë për një pacient shtatëdhjetëvjeçar, i cili është pranuar më 25 gusht në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, informoi drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive-Shkup, Fadil Cana.
“Aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 8 pacientë, tek të cilët në mënyrë laboratorike është përdëftuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Nga këta 8 pacientë, 2 pacientë janë me pasqyrë klinike të rëndë, të cilët janë të hospitalizuar në repartin për trajtim intensiv janë të intubuar dhe kanë mbështetje të ventilimit mekanik. Fatkeqësisht në fundjavë u regjistrua edhe një rast vdekjeje i 8-të me radhë - një pacient 70-vjeçar, i cili ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive më 25 gusht të këtij viti. Pasqyra klinike e pacientit të hospitalizuar ishte shumë e rëndë dhe përpos të gjitha trajtimeve intensive në repartin për trajtim intensiv gjatë vikendit në orët e pasdites gjendja mbaroi në mënyrë fatale.”, - deklaroi drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
Sipas drejtorit të Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, asnjë pacient i ri me ethe të Nilit Perëndimor nuk është pranuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive për katër ditë, përndryshe pacientët që po trajtohen në këtë klinikë kanë qenë të infektuar në vend. Ai tha se pritet që periudhën në vijim të ulet numri i pacientëve të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor.
VLORA LATIFI TOPOJANI
