Shtyhet seanca për rastin “Lotaria e Maqedonisë”, Avdiu kërkon aktakuzën në shqip

07.09.2026 16:01

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi...

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe të akuzuarit e tjerë në rastin “Lotaria Shtetërore” janë deklaruar të pafajshëm në seancën e sotme gjyqësore.

Seanca u ndërpre, pasi i akuzuari Bashkim Avdiu kërkoi që aktakuza t’i dorëzohet në gjuhën shqipe, duke deklaruar se nuk e kupton përmbajtjen e akuzës ndaj tij. Gjykatësja Biljana Shuplinovska Jovevski më pas e shtyu seancën, ndërsa vazhdimi u caktua për të premten. Prokuroria, e përfaqësuar nga prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, i akuzon të pandehurit për veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar “Lotarisë Shtetërore” dëm prej 596.125.511 denarësh, ose rreth 9.7 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, Grubi akuzohet se, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë, kishte kryesuar një seancë qeveritare ku ishte marrë vendim për furnizimin me video-lojëra të fatit, ndonëse “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë t’i organizonte ato. Prokuroria pretendon se kjo i ka shkaktuar institucionit dëm prej rreth 5 milionë eurosh, pasi e drejta për organizimin e këtyre lojërave i ishte dhënë më herët kompanisë “Videolottery Casinos Austria”.

Në proces janë paralajmëruar 231 prova materiale, ekspertiza dhe dëgjimi i shtatë dëshmitarëve. Të gjithë të pranishmit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, ndërsa Bajrami nuk ishte i pranishëm për t’u deklaruar.