Ethet e Nilit Perëndimor, spërkatja e mushkonjave ulë nuëmrin e të prekurve

12.09.2026 17:50

Dalëngadalë po ulet numri i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor...

Dalëngadalë po ulet numri i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor në vend. Drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, Fadil Cana, për TVM2 thotë se spërkatja kundër mushkonjave në vendbanimet e shpallura si zona me rrezik në kryeqytet, së bashku me uljen graduale të temperaturave, kanë ndikuar në rënien e rasteve të reja.

Sipas Canës, ulje më e ndjeshme e rasteve të etheve të Nilit Perëndimor dhe sëmundjeve të tjera që transmetohen nga mushkonjat pritet të vërehet me rënien e temperaturave tani gjatë vjeshtës.

“Numri i rasteve veçmë është në ulje e sipër. Normal me uljen e temperaturave në fillim të vjeshtës pritet numri të zvogëlohet, por njëherit nga masat e ndrëmarra deri më tani nga autoritetet shëndetësore dhe pushtetit  lokale, spërkatja kundër mushkonjave e cila është bërë në mënyrë emergjente në vende të prekura ku është shpallur epidemia e Etheve të Nilit Perendimor efekti veçmë shihet që numri i pacientëve të cilët prekin nga forma invazive e etheve të nilit është në rënie.” – deklaroi Drejtori i Klinikës infektive – Shkup, Fadil Cana.

Aktualisht në Klinikën Infektive në Shkup janë të hospitalizuar gjashtë pacientë. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe ndodhen në ventilim mekanik, ndërsa katër të tjerët janë në gjendje stabile.

Cana thotë se po bëhet ç’mos për trajtimin e tyre, por edhe pas përfundimit të trajtimit, një pjesë e pacientëve mund të ndjejnë lodhje, dobësi apo të kenë  probleme neurologjike dhe kognitive.

“Pjesa dërrmuese e këtyre pacientëve, edhe për një kohë, disa javë, mos të them edhe muaj, ende nuk e kanë fuqinë e plotë dhe kanë probleme ndoshta kognitive. Disa prej tyre mund të kenë dëmtime edhe neurologjike, ku të gjitha këto kanë nevojë për vazhdimësi të trajtimit, i cili normalisht nuk ndodh në Klinikën Infektive, por këta pacientë, varësisht nga simptomat të cilat persistojnë dhe nga simptomat post-kuruese, vazhdojnë edhe me trajtim të mëtejshëm.” – u shpreh Drejtori i Klinikës infektive – Shkup, Fadil Cana.

Deri më tani gjithsej 57 persona janë prekur nga ethet e Nilit Perëndimor në vend. Tetë pacientë, të cilët përveç infektimit me virusin kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese, kanë ndërruar jetë.

Të gjithë pacientët tek të cilët është manifestuar një pasqyrë më e rëndë klinike nga ethet e Nilit kanë qenë mbi 60 vjeç dhe, sipas të dhënave, janë pickuar nga mushkonjat tigër, të cilat mund ta transmetojnë virusin e Nilit Perëndimor. (Rexhep Qamili, TVM2)