Maqedoni

Kryeparlamentari në brifing me gazetarët, Gashi: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

14.09.2026 14:07

Gashi është i bindur se në vend nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është i bindur se në vend nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e bëri të ditur në brifingun e sotëm me gazetarët, duke theksuar se këtë bindje e bazon në intuitën e tij politike, por edhe në deklaratat politike që ditëve të fundit po bëhen publike.
 
“Sipas meje, nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe jam i bindur se nuk do të ketë.”, tha Gashi, duke e përsëritur për të dytën herë qëndrimin e tij.
 
Duke komentuar koordinimin e rregullt të sotëm me krerët e grupeve parlamentare në Kuvend, Gashi theksoi se me përfaqësuesin e partisë E Majta është hapur çështja e Kodit Zgjedhor, për shkak të qëndrimeve të shprehura lidhur me zgjedhjet e parakohshme. Sipas tij, duhet të zhvillohen bisedime dhe, nëse ka gatishmëri, grupi i punës në Kuvend dhe koordinatorët duhet ta vazhdojnë komunikimin për Kodin Zgjedhor. Sa i përket ligjit për përfaqësim të drejtë, Gashi tha se ka bisedime me liderët, por mohoi se në mesin e tyre është edhe Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim.
 
Temën e zgjedhjeve të parakohshme javën e kaluar e aktualizoi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, tha se nëse opozita paraqet kërkesë në Kuvend, VMRO-DPMNE-ja e tij do t’i përgjigjet pozitivisht. 
Më pas, BDI opozitare e përshëndeti deklaratën e kryeministrit për gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së së tij për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nëse në Kuvend do të ketë një kërkesë të tillë. Ata konsiderojnë se gatishmëria për të kërkuar zgjidhjet përmes institucioneve dhe përmes vullnetit të qytetarëve është përgjegjësi që duhet përshëndetur.
 
ERSAN PAJAZITI