Katër milionë euro për automjete dhe pajisje, mbështetje nga BE-ja për Drejtorinë e Doganave
Gjithsej 26 automjete speciale dhe pajisje të ndryshme forenzike...

Gjithsej 26 automjete speciale dhe pajisje të ndryshme forenzike dhe të teknologjisë informative iu dorëzuan Shërbimit të Doganës në pikën kufitare Tabanoc. Dorëzimi i tyre u bë gjatë shënimit të përfundimit të suksesshëm të projekteve të realizuara në kuadër të dokumentit të veprimit të Bashkimit Evropian për luftën kundër krimit të organizuar.
Me pajisjet e reja pritet të forcohet edhe më tej lufta kundër krimit të organizuar, të përmirësohet siguria kufitare, si dhe të lehtësohen proceset tregtare dhe doganore.

“Dogana e fortë nuk nënkupton vetëm kontroll të fortë. Dogana e fortë nënkupton një institucion të shpejtë, modern dhe digjital që u mundëson operatorëve ekonomikë të funksionojnë më lehtë. Siguria dhe lehtësimi i tregtisë janë dy nga prioritetet tona kryesore, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Me pajisje bashkëkohore, të dhëna cilësore, sisteme moderne të TI-së, zyrtarë të trajnuar mirë dhe procedura efikase, mund të jemi efikas në luftën kundër tregtisë së paligjshme dhe njëkohësisht efikas në lehtësimin e tregtisë së ligjshme.”, - u shpreh drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski.
“Paralelisht investojmë edhe në digjitalizim, që do të nënkuptojë më pak procedura administrative, qasje më të lehtë në sistemet doganore dhe përfundim më të shpejtë të procedurave. Me zhvillimin e sistemeve еuro 2 dhe të sistemit për menaxhim të unifikuar të identitetit të përdoruesve dhe nënshkrimit digjital, bëjmë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qasjeje të vetme më të thjeshtë dhe të sigurt digjitale në shërbimet doganore, që është thelbësore për operatorët ekonomikë.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.

Automjetet janë pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili kap vlerën prej 4 milionë eurosh.
“Dua të përshëndes përkushtimin e kësaj qeverie për vendkalime të përbashkëta kufitare me vendet fqinje, me qëllim zgjerimin e të ashtuquajturve korridore të gjelbra. Ne tashmë e kemi parë rëndësinë e korridoreve të gjelbra, të cilat ndihmojnë gjithashtu në lëvizjen më të lehtë të mallrave në të gjithë rajonin. Pikërisht kjo është ajo që BE-ja sjell për njerëzit vendkalime kufitare që funksionojnë më mirë, mallra që lëvizin dhe transportohen më shpejt, biznese me më pak pengesa dhe punonjës doganorë e zyrtarë që kanë të gjitha mjetet e nevojshme për punën e tyre, me qëllim që qytetarët të jenë të sigurt.”, - u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ekzekutivi edhe më tej do të mbështesë punën e Drejtorisë së Doganave, si dhe punën e ndershme të çdo nëpunësi doganor.
“Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ta mbështesim punën e Doganës dhe pres që nga rezultatet tashmë shumë të mira, të arrijë rezultate edhe më të mira, në mënyrë që të gjithë së bashku të arrijmë rezultate të shkëlqyera. Edhe pse, deri tani, mund të them se jemi jashtëzakonisht të kënaqur me punën e Doganës.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Më herët në kuadër të këtij projekti, në Drejtorinë e Doganave janë realizuar edhe disa aktivitete të tjera për modernizimin e kapaciteteve operative dhe hetimore të institucionit, u tha me ketë rast. (Rexhep Qamili, TVM2)
