Vazhdon gjykimi ndaj gjyqtarit Ristov, u morën në pyetje dy dëshmitarë

15.09.2026 17:45

Ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj gjyqtarit...

Ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj gjyqtarit të suspenduar të Apelit, Gjoko Ristov. Në seancën e sotme u morën në pyetje dëshmitarë të prokurorisë dhe të mbrojtjes.

I pari, specialist për siguri kibernetike, i cili posedon një biznes privat për shitjen dhe riparimin e telefonave celularë, nuk konfirmoi deklaratën e gjykatësit Ristov se më 3 dhjetor kishte dorëzuar një telefon për riparim.

Me dëgjimin e këtij dëshmitari, prokuroria i përfundoi provat e saj. Më pas dëshmoi një mik i familjes Ristov, i cili ka qenë prezent gjatë bastisjes së shtëpisë së prindërve të të akuzuarit, Donka dhe Zdravko Ristov, më 17 dhe 18 janar të vitit 2026.

Sipas dëshmitarit, babai i të akuzuarit kishte dëshmuar atë ditë se paratë janë të tij. Megjithatë, Prokuroria Publike e konteston këtë dëshmi.

“Dëshmitari dha deklaratë jokredibile në pjesët kyçe, sepse një pjesë e dëshmisë së tij lidhej me fakte bazë, të cilat me shumë gjasë gjejnë mbështetje në gjithçka që ka ndodhur gjatë bastisjes, si dhe në dinamikën e veprimit të policisë. Por, sa u përket disa fakteve, ai dha thjesht deklarata të pavërteta. Këtë e them, sepse deklaratat e tij nuk përputhen me provat materiale dhe materialin video, të cilin të gjithë kemi pasur mundësi ta shohim në seancat e mëparshme.”, - deklaroi prokurorja publike, Iskra Haxhivasileva.

Nga ana tjetër, mbrojtja e kundërshton tezën e prokurorisë, duke pretenduar se nuk është provuar se paratë e gjetura i përkasin gjyqtarit Gjoko Ristov dhe se prokuroria nuk ka dëshmuar prejardhjen e tyre në mënyrën e kërkuar nga ligji.

“Cilat janë ato prova? Ja, t’ju pyes: prokuroria çfarë provash paraqiti dhe tha se paratë janë të gjyqtarit? Prokurori dorëzoi procesverbalin për kryerjen e bastisjes dhe procesverbalin për marrjen e parave, në të cilin është nënshkruar Zdravko Ristov, që në momentin e parë, edhe në vërejtjen në procesverbal, ai ka thënë se ato janë paratë e tij. Unë nuk shoh ndonjë provë tjetër që e ka paraqitur prokuroria.”, - theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.

Paratë u gjetën të paketuara në 13 pako të veçanta, gjithsej 610 kartëmonedha prej 500 eurosh dhe 225 kartëmonedha prej 200 eurosh. Sipas aktakuzës, paratë ishin fshehur në zbrazëtirat e tullave në murin e kuzhinës.

Gjykatësi i suspenduar, Gjoko Ristov, akuzohet për veprat penale “Përfitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë” dhe “Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”. (Florije Kamberi, TVM2)