Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, kanë reaguar aktorët politikë në RMV
Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit...

Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë reaguar edhe aktorët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se asnjë verdikt nuk mund ta mohojë, siç u shpreh ai, rolin e katër ish-krerëve të UÇK-së në historinë e Kosovës.
“Asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës. Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre. Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Krerët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, shprehën keqardhje për aktgjykimin. Theksuan se historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri.
“Shpreh keqardhje të thellë për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ky është një vendim i rëndë për katër njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre. Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare.”, - theksoi kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
“Vendimi i sotëm i Hagës për krerët e UÇK-së është zhgënjyes dhe thellësisht i padrejtë për popullin e Kosovës dhe për gjithë kombin tonë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, mbrojtëse dhe të drejtë për liri, pavarësi dhe dinjitet. Historia e lavdishme e popullit tonë nuk mund të tjetërsohet, as të njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës. Beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj. Jo, dënimit të UÇK-së në emrin tonë!”, - u shpreh kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e cilësoi vendimin të padrejtë dhe zhgënjyes, duke bërë thirrje për unitet dhe maturi.
“Është një vendim që e konsideroj si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes. Në këto momente të rënda bëj thirrje për maturi dhe unitet, nuk duam të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në reagimet e tyre, kanë theksuar se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe kanë bërë thirrje për vazhdimin e procesit përmes mekanizmave të apelimit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
