Eurointegrimi i vendit, Kos: RMV-ja ta mbajë premtimin, ta ndryshojë Kushtetutën
17.09.2026 14:31
Kushti kryesor për vazhdimin e procesit eurointegrues të RMV-së mbetet ndryshimi i Kushtetutës...

Kushti kryesor për vazhdimin e procesit eurointegrues të RMV-së mbetet ndryshimi i Kushtetutës, thotë eurokomisionarja për Zgjerim, Marta Kos, për televizionin shtetëror bullgar. Njëherësh shpreh besim tek qeveria bullgare për përshpejtim të këtij procesi dhe po ashtu edhe dëshirë që në këtë valë të zgjerimit të Unionit të përfshihet edhe Maqedonia e Veriut.
“Duhet patjetër ta ndryshojë Kushtetutën. Kjo është marrëveshje mes RMV-së dhe 27 vendeve anëtare të BE-së. Kur të bëhet kjo, do të llogarisim edhe në përkrahjen e vendit tuaj, që të vazhdojmë përpara edhe me Maqedoninë e Veriut. Do të isha shumë e lumtur për ta shfrytëzuar këtë moment të zgjerimit edhe për Maqedoninë e Veriut. Kam besim në qeverinë e re bullgare me të cilën bashkëpunoj mirë. Të gjithë ne së bashku do të gjejmë mënyrë për ta lëvizur procesin përpara me Maqedoninë e Veriut. Gjithsesi, Qeveria në RMV duhet ta mbajë premtimin.”, - deklaroi komisionarja për Zgjerim, Marta Kos.
Sa i përket procesit të zgjerimit, Kos theksoi se për momentin Mali i Zi është më pranë anëtarësimit, ndërsa për Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën po përgatiten udhërrëfyes me hapat e mundshëm teknikë deri në përfundimin e mandatit të Komisionit Evropian.
Një ditë më parë, edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përpara eurodeputetëve në Strassburg, tha se ideja evropiane ende është gjallë dhe për këtë, sipas saj mjafton të shikohet Ballkani Perëndimor, Moldavia e Ukraina. Meqë e ardhmja e tyre qëndron brenda Bashkimit tonë, së shpejti do të propozojmë udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh, ka shtuar Leyen, pa harruar të potencojë se procesi do të vazhdojë të bazohet në merita. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
