Maqedoni
Tetovë, alarme të rreme për bomba në shkolla
21.09.2026 17:41
Edhe ky vit shkollor filloi me alarme të rrejshme...

Edhe ky vit shkollor filloi me alarme të rrejshme për bomba në shkollat e mesme të Mjekësisë dhe Ekonomisë në Tetovë. Menjëherë pas njoftimit, nxënësit nuk janë lejuar te fillojnë mësime derisa kontrollet janë bere nga punonjësit e SPB Tetovës.
Alarmi për vendosjen e bombave kishte ardhur në e-mail-in e shkollës dhe, sikurse herët e tjera, ishte shkruar në gjuhën maqedonase, thotë drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, Malësore Ramadani.
“Diku rreth orës shtatë e lajmëruam policinë se në e-mail-in zyrtar kishte ardhur një alarm për bombë. Nxënësit i pritëm para shkollës dhe nuk i lamë të futen brenda. I kthyem në shtëpi, derisa policia na dha me shkrim se gjithçka është në rregull dhe se mësimi mund të vazhdojë. Megjithatë, mësimi do të vazhdojë pasdite. Gjithnjë alarmi na vjen në gjuhën maqedonase dhe nga e-mail adresa që nuk i kemi të njohura.”, - deklaroi drejtoresha e ShMK “Nikolla Shtejn”, Malësore Ramadani.
Ndërsa në Shkollën Ekonomike “8 Shtatori”, e-maili për vendosjen e bombës kishte ardhur në e-mailin personal të drejtoreshës Hava Hasani.
“E-maili erdhi në orën 01:00 të natës, në e-mailin tim personal dhe të sekretares. Po ashtu, kishte ardhur edhe në e-mailin e shkollës, për të cilin kemi njoftuar se nuk është në funksion. Pas kontrollit, policia na dha leje që mund ta vazhdojmë mësimin.”, - theksoi drejtoresha e ShMK “8 Shtatori”, Hava Hasani.
Nga Policia e Tetovës konfirmuan se të dyja alarmet për bombë kanë rezultuar të rreme, ndërsa apelojnë te prindërit që të kontrollojnë aktivitetin e fëmijëve të tyre, pasi dënimet për raste të tilla janë të rrepta.
“Të dyja rastet kanë rezultuar të rreme, por apeloj te qytetarët që, duke pasur parasysh eksperiencën e vitit paraprak, kur patëm qindra alarme për bomba dhe dhjetëra persona të arrestuar, ku pjesa më e madhe ishin të mitur, të kenë kujdes. Ligji në këto raste, për të miturit parasheh masa pedagogjike, por barrën më të madhe ligjore e mbajnë prindërit. Apeloj te prindërit që të kontrollojnë mjetet elektronike të fëmijëve me të cilat komunikojnë, si telefonat, laptopët apo tabletët, dhe të kenë nën kontroll se çfarë bëjnë dhe me kë komunikojnë fëmijët e tyre.”, - u shpreh zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Vit më parë, në Tetovë pati dhjetëra alarme të rrejshme për bomba të vendosura nëpër shkolla. Më të shpeshta ishin alarmet në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”. Si rezultat i këtyre alarmeve, u arrestuan disa persona, shumica e të cilëve ishin adoleshentë.
VISAR SADIKI
