Maqedoni
Mickoski në samitin “Concordia”: Mbetemi në rrugën evropiane, mbrojmë identitetin
22.09.2026 11:27
Kryeministri Hristijan Mickoski, në samitin “Concordia” në Nju Jork, foli për integrimin evropian...

Kryeministri Hristijan Mickoski, në samitin “Concordia” në Nju Jork, foli për integrimin evropian, partneritetin strategjik me ShBA-në, ndërlidhjen energjetike dhe infrastrukturore, si dhe për rezultatet ekonomike të vendit.
Në panelin me zëvendëskryeministren e Gjeorgjisë, Maka Botchorishvili, ai theksoi se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por se negociatat me BE-në, sipas tij, nuk duhet të nënkuptojnë ndryshimin e identitetit. Mickoski vlerësoi se qytetarët maqedonas janë të frustruar nga procesi shumëvjeçar i integrimit evropian dhe tha se gjatë viteve të fundit vendi ka bërë më shumë lëshime. Ai deklaroi se ka vende anëtare të BE-së që, sipas tij, përpiqen që përmes procesit të integrimit të zgjidhin çështje dypalëshe.
Kryeministri theksoi gjithashtu se nga Brukseli, gjatë periudhës së fundit, po vijnë mesazhe pozitive. Si shembull përmendi samitin e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tivat, si dhe dokumentin joformal franko-gjerman, i cili, siç tha ai, mundet që në të ardhmen të bëhet pjesë e politikës zyrtare të BE-së. Sa i përket reformave, Mickoski tha se vendi nuk po pret në mënyrë pasive, por po punon për harmonizimin me standardet evropiane dhe se politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë është plotësisht e harmonizuar me BE-në.
Në samit, ai foli edhe për partneritetin strategjik me ShBA-në, duke theksuar se bashkëpunimi po thellohet në disa fusha, përfshirë mbrojtjen, energjetikën dhe mineralet kritike. Në Nju Jork, Mickoski u takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau.
