Maqedoni
Provimi i Jurisprudencës kërkohet në shqip, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen
23.09.2026 15:17
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike...

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e Jurisprudencës. Takimi, sipas Shasivarit, pritet të zhvillohet në pjesën e parë të tetorit, pasi të nisë viti i ri akademik.
“Në pjesën e parë të tetorit do të organizoj takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore, me dekanët e fakulteteve juridike, për prezantimin e zgjidhjes dhe për sqarimin konkret, si dhe për demonstrimin praktik të zgjidhjes. Besoj që së shpejti do t’u dërgohen edhe ftesat për takim. Tani është koha e regjistrimeve nëpër universitetet e vendit dhe nuk ka filluar viti akademik. Prandaj, në pjesën e parë të tetorit, pasi të fillojë viti akademik, mendoj që nëpërmjet dialogut dhe partneritetit me asociacionet studentore, qëllimi është që në mënyrë praktike të prezantohet zgjidhja dhe të demonstrohet praktikisht se si do të funksionojë. Në këtë drejtim janë me rëndësi, kuptohet, edhe standardet ndërkombëtare dhe standardet evropiane. Respektimi i tyre është shumë i rëndësishëm lidhur me këtë qasje inkluzive ose gjithëpërfshirëse, ku i kemi pesë fakultete juridike në vendin tonë që zhvillojnë studime juridike në gjuhë të ndryshme.”, - u shpreh ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
