Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Shasivari: Respektimi i vendimit nuk është pajtim me vendimin
“Katërshja” e UÇK-së në aspektin juridik, konsiderohet e pafajshme...

“Katërshja” e UÇK-së në aspektin juridik, konsiderohet e pafajshme, vlerëson ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Shasivari thekson se respektimi i një vendimi nuk nënkupton domosdoshmërish pajtim me të, duke iu referuar edhe të drejtës për ankesë, ndërsa theksoi se procedura gjyqësore ende nuk është plotësisht e mbyllur.
“Respektimi i vendimit nuk do të thotë pajtim me vendimin. Të thuash ‘të respektohet vendimi’, që është qëndrim edhe i bashkësisë ndërkombëtare, nuk do të thotë pajtim ose pranim i vendimit, me qenë se e drejta e ankesës është edhe një nga mjetet kryesore juridike për kontestimin e këtij vendimi. Ankesa nuk është vetëm një formalizëm i thjeshtë, por është një garanci procedurale që të gjitha faktet dhe provat që janë shqyrtuar në instancën e parë të rishqyrtohen sipas ankesës. Prandaj, ajo procedurë nuk është e përfunduar me vendim të plotfuqishëm dhe katërshja, në aspektin juridik, konsiderohet e pafajshme.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
BDI: Shasivari duhet të dorëhiqet
Por, nga BDI vlerësojnë se Shasivari duhet të japë dorëheqje për shkak të deklaratës së dhënë para aktgjykimit.
“Me deklaratën e tij skandaloze, ai barazoi viktimën me agresorin dhe kërkoi respektimin e një vendimi që ende nuk ishte shpallur.”, theksojnë nga BDI.
Kasami mbron Shasivarin: VLEN-i nuk pajtohet me vendimin e Speciales
Por, në mbrojtje të ministrit Shasivari ka dalë kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, i cili njëherësh ka theksuar se qëndrimi i këtij subjekti për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë është se është marrë vendim i pasaktë pa sigurimin e provave. Kasami ka shprehur bindjen se vendimi i shkallës së dytë mund të sjellë një tjetër epilog për katër ish-krerët e UÇK-së.
“Ajo që unë kam kuptuar ka të bëjë me prezumimin e pafajësisë; përderisa dikush nuk shpallet fajtor me vendim të prerë, nuk mund të themi se është i tillë. Pra, në këtë rast, zotëri Shasivari, si jurist dhe si profesor i së drejtës, thotë si profesionist se vendimet e gjykatës duhet të pranohen. Në këtë rast, sigurisht që aspekti i së drejtës është ai që ne kemi dhënë si qëndrim politik si "VLEN" – që nuk pajtohemi me këto qëndrime dhe vlerësojmë se gjykata ka marrë një vendim të pasaktë, sepse të gjitha dëshmitë janë marrë në një mënyrë që vlerësojmë se nuk ka ndjekur rrugën e natyrshme të sigurimit të provave. Për ne, çdo dëshmi e siguruar përmes Beogradit nuk do të duhej të merrej parasysh, pavarësisht saktësisë së saj. Pra, në këtë rast, besojmë që shkalla e dytë (Apeli) do të sjellë një vendim të drejtë, si për katër komandantët e UÇK-së, ashtu edhe për luftën e drejtë që ka bërë UÇK-ja për të mbrojtur popullin dhe qytetarët e Kosovës, e për të ardhur deri te pavarësia e shtetit të Kosovës.”, - theksoi kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Kundër vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë reaguar edhe kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
