Zbardhet rasti me videon e djegies së flamurit të Maqedonisë, një i mitur nga Tetova përfundoi në polici
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë...

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë – Njësia për Krim Kompjuterik, në koordinim me Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e ka zbardhur plotësisht rastin lidhur me një video të publikuar në rrjetin social „TikTok“, në të cilën shihet djegia e flamurit të Maqedonisë.
Siç thonë nga MPB, më 22.09.2026, gjatë monitorimit të rrjeteve sociale, nëpunës policorë kanë detektuar një video të publikuar me përmbajtje me të cilën është kryer vepra penale "shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit në baza kombëtare, fetare dhe në baza të tjera diskriminuese“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 319 paragrafi 1 të Kodit Penal.
"Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve operative, më 23.09.2026 është përcaktuar identiteti i autorit të profilit. Bëhet fjalë për një të mitur nën moshën 14- vjeçare nga Tetova. Në ambientet e policisë, në prani të prindit dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale Tetovë, me të miturin është zhvilluar bisedë zyrtare, me ç’rast ai e ka pranuar veprën. Me pëlqimin e prindit, për nevojat e procedurës dhe fotodokumentimin e provave, është siguruar telefoni celular nga i cili është publikuar videoja".
"Gjatë bisedës zyrtare, i mituri përmendur edhe tre të mitur të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në ngjarje. Ata më tej do të ftohen në stacionin policor për zbardhjen e plotë të rastit. Pas dokumentimit të plotë të lëndës, në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë do të parashtrohet parashtresë përkatëse", thonë nga MPB.
