Bie numri i viktimave në trafik, fataliteti në aksidente bie për 35%

24.09.2026 12:08

Siguria në rrugë nuk matet vetëm përmes numrit të sanksioneve të shqiptuara...

Siguria në rrugë nuk matet vetëm përmes numrit të sanksioneve të shqiptuara, por mbi të gjitha përmes numrit të jetëve të shpëtuara dhe tragjedive të parandaluara. Të dhënat nga evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 është arritur një përmirësim i konsiderueshëm i gjendjes së sigurisë në qarkullimin rrugor.

“Në periudhën janar–gusht 2025, në aksidente rrugore jetën e humbën 96 persona, ndërsa në po këtë periudhë të vitit 2026 humbën jetën 62 persona. Kjo do të thotë 34 persona më pak të vdekur, përkatësisht një ulje prej 35.42%. Këto shifra janë dëshmi e qartë se qasja sistematike në përmirësimin e sigurisë në trafik jep rezultate konkrete. Numri i përgjithshëm i aksidenteve të trafikut është ulur nga 5.485 në 4.840, përkatësisht me 11.76%.”, raporton MPB.