Maqedoni

Aksion i madh nga Qendra Tregtare “Mavrovka” deri te Bit Pazari, hiqen tezgat ilegale, sekuestrohen 500 kg ushqim

29.09.2026 14:13

Rreth 500 kilogramë ushqime janë sekuestruar gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm inspektues...

Rreth 500 kilogramë ushqime janë sekuestruar gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm inspektues të zhvilluar këtë mëngjes në aksin nga Qendra Tregtare “Mavrovka” deri te Bit Pazari në Shkup. Aksioni ishte i përqendruar te tezgat e vendosura përgjatë bulevardit “Kërste Petkov Misirkov”, ku pika të improvizuara shitjeje ishin vendosur në shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta. Kontrolli u zhvillua nga inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, në koordinim me inspektorët komunalë të Qytetit të Shkupit, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
 
“U hoqën të gjitha tezgat pa leje, shumica me fruta dhe perime. U konfiskua ushqim në sasi prej rreth 500 kilogramësh (pjesa më e madhe produkte bujqësore) dhe u larguan të gjitha pajisjet e shitjes që ishin vendosur pa leje në shtigjet e këmbësorëve dhe të biçikletave.”, njoftojnë nga Agjencia.
 
Personave që shisnin në mënyrë të paligjshme do t’u shqiptohen masat përkatëse kundërvajtëse, në koordinim me inspektorët komunalë të Qytetit të Shkupit. Ndërkohë, në një aksion tjetër të zhvilluar dje në bashkëpunim me SPB-në e Gostivarit, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka sekuestruar edhe 150 kilogramë mish me afat të skaduar, pa deklaratë dhe me origjinë të panjohur. Mishi është gjetur në një pronë private në fshatin Çajle. Mishi i sekuestruar është asgjësuar në mënyrë të padëmshme në deponinë “Rusino”.
 
ERSAN PAJAZITI