Maqedoni

Dita Botërore e Zemrës, sëmundjet e zemrës shkaktojnë mbi 40% të vdekjeve

29.09.2026 16:15

Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekshmërisë në botë...

Edhe në Maqedoninë e Veriut, zemra vazhdon të jetë në qendër të një alarmi shëndetësor, ku sipas të dhënave të fundit, këto sëmundje shkaktojnë më shumë se 40 për qind të vdekjeve.
 
Me rastin e 29 shtatorit, Ditës Botërore të Zemrës, ekspertët rikujtojnë se faktorët kryesorë të rrezikut -si tensioni i lartë, sheqeri, yndyrat në gjak, pesha e tepërt, duhani dhe mungesa e aktivitetit fizik - mund të zbulohen dhe menaxhohen në kohë.
 
“Janë shumë faktorë të rëndësishëm kardiovaskular, të cilët ne mund t’i influencojmë, t’i përmirësojmë, të kemi jetëgjatësi më të gjatë. Si shembull mund ta merrni pirjen e duhanit ose trajtimin e tensionit të lartë, trajtimin e yndyrës. Pra, të mundohemi të gjithë që në ditët në vijim të kemi një stil të jetës pak më të shëndoshë dhe një jetë pak më të gjatë.”, - deklaroi kardiologu, Florim Cuculi.
 
Mjekët paralajmërojnë se prirja e vdekshmërisë së lartë vazhdon të mbetet shqetësuese edhe në vitet e fundit.
 
“Të dhënat e fundit për fat të keq i kemi nga viti 2023, që tregojnë se sëmundjet e sistemit kardiovaskular janë shkaku më i shpeshtë i vdekjeve dhe përbëjnë diku 43.3% e të gjitha vdekjeve në vend. Edhe në vitet pas vitit 2023 jam i bindur se këto shifra janë të njëjta, në mos mund të jenë edhe përkeqësuar.”, - theksoi kardiologu, Enes Jashari. 
 
Për të rritur ndërgjegjësimin qytetar, Instituti i Shëndetit Publik organizoi një aktivitet në qendrën tregtare “Diamond Mall”, ku qytetarët patën mundësi të kryejnë kontrolle bazë pa pagesë, si matjen e tensionit, sheqerit, kolesterolit dhe indeksit të masës trupore.
 
“Parandalimi është kyç dhe të dërgojmë mesazh që të shmangen rreziqet që mund të kontribuojnë në këtë, e ato janë presioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë, ndryshimet në peshën trupore, përkatësisht rritja e peshës trupore.”, - u shpreh drejtoresha e IShP-së, Marija Andonovska.
 
Edhe nga Ministria e Shëndetësisë u bëhet thirrje qytetarëve që t'i kushtojnë vëmendje kontrolleve sistematike dhe parandalimit të hershëm.
 
“Ne automjetet i çojmë çdo vit në regjistrim dhe në kontroll teknik dhe paguajmë, mendoj mbi 10-15 mijë denarë për këtë, kurse diku-diku na vjen e vështirë të shkojmë të bëjmë kontrollin tonë teknik. Domethënë, duhet ta vlerësojmë jetën tonë më shumë. Kështu që, duhet të flasim për këtë, duhet të gjejmë ndonjë model për të menaxhuar rreziqet kryesore: stresin, ushqimin, alkoolin, cigaret.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
Ekspertët apelojnë që të mos pritet shfaqja e simptomave, por të bëhen verifikime të rregullta shëndetësore dhe, sipas nevojës, të ndiqet me rigorozitet terapia e përshkruar nga mjeku.
 
BELINDA KOKA ADEMI