Maqedoni
Aksion i madh policor në Prilep, bastisje në 30 lokacione, nën hetim edhe policë
30.09.2026 14:39
Një operacion i madh policor është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Prilep dhe rrethinë...

Një operacion i madh policor është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Prilep dhe rrethinë, ku janë kryer bastisje dhe kontrolle në rreth 30 lokacione. Në terren janë angazhuar pjesëtarë të njësive speciale dhe policisë së uniformuar, ndërsa aksioni zhvillohet nga Ministria e Punëve të Brendshme përmes Byrosë për Siguri Publike. Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj një strukture të dyshuar kriminale të organizuar.
Hetimi lidhet me dyshime për aktivitete të lidhura me lëndë narkotike, ndërsa nën hetim dyshohet se janë edhe pjesëtar të policisë, për të cilët janë duke u verifikuar lidhjet e mundshme me personat e përfshirë në aktivitete kriminale. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e personave të ndaluar apo të dyshuar, ndërsa nuk janë bërë publike as rezultatet e bastisjeve.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se aksioni në disa qytete të vendit po zhvillohet për vepra penale që lidhen me prodhimin dhe vënien e paautorizuar në qarkullim të lëndëve narkotike, nën drejtimin e një prokurori publik. Nga MPB-ja nuk japin për momentin detaje të tjera, duke bërë të ditur se pas përfundimit të aksionit, publiku do të informohet për masat e ndërmarra dhe rezultatet e operacionit.
FARIJE DAUTI BAKIU
