Një ditë pas vizitës së Kryetares së KE-së, Mickoski: Takimi, miqësor, por s’jam i kënaqur

03.10.2026 18:13

Kryeministri Hristijan Mickoski takimin me kryetaren e KE-së, Von Der Leyen...

Kryeministri Hristijan Mickoski takimin me kryetaren e KE-së, Von Der Leyen, e vlerëson si miqësor, të dobishëm e përmbajtësor, por megjithatë thotë se nuk mund ta cilësojë si të kënaqur ngaqë në tavolinë, shefja e ekzekutivit evropian ka përkujtuar ndryshimin e kushtetutës, që sipas Mickoskit është çështje e pranuar nga qeveria LSDM-BDI.

E quan konstruktiv propozimin e shefes së KE-së për një takim të drejtpërdrejtë me autoritetet në Bullgari.

“Nëse e refuzojnë, atëherë edhe një herë do të konfirmohen të gjitha ato teza që ne i kemi dhe për të cilat jemi të shqetësuar. Nuk pres një gjë të tillë, nuk do të ishte e mençur ta refuzonin. Por, në rregull, ky është vendim i tyre sovran, nuk është vendim i yni. Unë e bëra këtë, sepse vlerësoj se presidentja ishte absolutisht në të drejtë kur e propozoi këtë. Ministri kërkoi takim. Tani mbetet në dorë të fqinjit tonë lindor të vendosë se çfarë do të bëjë më tej.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

VLEN: Brukseli vlerësoi pozitivisht reformat

Ndërkohë, VLEN ka mirëpritur vlerësimin e presidentes së Komisionit Evropian, Von der Leyen, për përparimin në zbatimin e Planit të Rritjes. Sipas këtij subjekti politk, kjo dëshmon punën serioze dhe përkushtimin e institucioneve për përmbushjen e detyrimeve të marra mbi zbatimin e Agjendës së Reformave.

“Për ne, ky vlerësim është arsye më shumë për ta vazhduar punën dhe për t’i përmbushur në kohë detyrimet e radhës. Po ashtu, mirëpresim përpjekjet e Brukselit për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit, si presim që të tejkalohen pengesat, në mënyrë që vendi të përparojë në negociatat me Bashkimin Evropian.” – thonë nga VLEN.

LSDM: Mbi dy vite humbje në eurointegrim

Lidhja socialdemokrate akuzon Mickoskin për humbje vitesh drejt aspiratave eurointegruese. Sipas tyre, në vend të ndërmjetësuesit, Mickoskit iu tha zhvillim i komunikimit me Bullgarinë.

“Nuk ka udhërrëfyes për Maqedoninë. Fillimisht duhet të ndodhë zhbllokimi i procesit. Këtu është edhe prokuroria evropiane. Mickoskin e drejtuan drejt Bullgarisë dhe ai në mënyrë ekprese pranoi. Kërkoi takim bilateral me Bullgarinë mes Mucunskit dhe Petrovës. Mickoski kërkoi mediator nga BE-ja, këtë nuk e mori. Në vend të kësaj mori porosi që të shkojë të referohet në Bullgari.” – tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Nga LSDM shtojnë se vizita e kryetares së KE-së edhe njëherë siguroi paprekshmërinë e identitetit dhe gjuhën maqedonase, të cilën sipas tyre e thotë vazhdimisht edhe partia e tyre. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)