Maqedoni
Dita Botërore e Mësuesit - 5 Tetori, u ndanë mirënjohje për 13 punëtorë arsimorë
05.10.2026 14:41
Nën moton “Mësuesi frymëzon, nxënësi krijon, së bashku formësojnë botën e dijes”, u vlerësuan mësues dhe edukatorë për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre....

Me rastin e Ditës Botërore të Mësuesit - 5 Tetori, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Lidhja e Punonjësve të Arsimit ndanë mirënjohje për 13 mësues dhe edukatorë më të mirë për vitin shkollor 2025/2026, njëri prej të cilëve u vlerësua post mortum. Nën moton “Mësuesi frymëzon, nxënësi krijon, së bashku formësojnë botën e dijes”, u vlerësuan mësues dhe edukatorë për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Mirënjohjet u ndanë në kategoritë e arsimit parashkollor, fillor, të mesëm dhe mësimit lëndor.
“Uroj të gjithë punonjësit e arsimit në vendin tonë, nga arsimi parashkollor e deri te arsimi i lartë, për këtë ditë. Lidhja jonë funksionon prej 33 vitesh dhe çdo vit, më 5 Tetor, organizojmë ngjarje për të vlerësuar punonjësit më të mirë të arsimit në Maqedoni. Edhe këtë vit ndajmë mirënjohje, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila ndan pllaka mirënjohjeje për punonjësit e shpërblyer të arsimit. Kam një mesazh për të gjithë, investimi në arsim është investimi më i madh për një shtet, sepse e ardhmja është tek ata që do të përfundojnë shkollimin. Prandaj, duhet të kemi kuadro të mira dhe arsimim cilësor të tyre.”, - deklaroi kryetarja e Lidhjes së Punonjësve të Arsimit, Zhaklina Ristovska.
Ministrja Janevska njëherësh paralajmëroi edhe rritje të re të pagave në mars të vitit të ardhshëm, si dhe masa për të adresuar mungesën e kuadrit, veçanërisht në shkencat natyrore.
“E di se në disa rajone ka mungesë të mësuesve në këto profile. Një nga arsyet për të cilat kemi diskutuar edhe në të kaluarën është se këto konsiderohen fakultete të vështira, por ka edhe fakultete të tjera të vështira dhe studentët përsëri i zgjedhin. Shumë herë kam thënë se si është shoqëria, i tillë është edhe arsimi. Në një periudhë të viteve të kaluara, për shkak të shumë rrethanave, u humb rëndësia dhe dinjiteti i mësuesit. Por, siç e shihni, gjatë këtyre dy viteve po bëjmë gjithçka që të rinjtë ta kuptojnë rëndësinë e mësuesit, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm.”, - u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Në Ditën Botërore të Mësuesit - 5 Tetori, në Maqedoninë e Veriut u ndanë mirënjohje për të 33-tën herë me radhë.
REXHEP QAMILI
