Maqedoni

Hetim për ndikim të kundërligjshëm, prokurori i lartë nga Manastiri nën hetim

07.10.2026 13:45

Nën hetim është një prokuror i lartë publik nga Prokuroria e Lartë Publike në Manastir...

Nën hetim është një prokuror i lartë publik nga Prokuroria e Lartë Publike në Manastir, ndaj të cilit Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë për dyshimin se ka marrë shpërblim për ndikim të kundërligjshëm.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se hetimi është zhvilluar pas ndërmarrjes së disa veprimeve dhe zbatimit të masave të posaçme hetimore, përmes të cilave janë siguruar prova që ngrenë dyshime se prokurori ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe ndikimin e tij për të ndërhyrë në vendimmarrjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
 
Rasti dyshohet se lidhet me të paktën katër çështje penale në zonën ku prokurori ka ushtruar detyrën. Sipas dyshimeve të hetuesve, ai ka ndërhyrë për shqiptimin e dënimeve më të ulëta ose për krijimin e një pozite më të favorshme për persona të dyshuar apo të akuzuar.
 
Me urdhër të gjykatës, dje janë kryer kontrolle në shtëpinë e tij dhe në hapësirat e Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir, me qëllim sigurimin e provave të tjera që lidhen me rastin.
 
Prokuroria vazhdon me shqyrtimin e provave, ndërsa gjyqtarit të procedurës paraprake i është dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit. Mes tyre janë heqja e pasaportës dhe ndalimi i ushtrimit të detyrës, përkatësisht largimi i përkohshëm nga vendi i punës.
 
REXHEP QAMILI