Lamtumirë emocionale në monumental, Messi zhvilloi ndeshjen e fundit me Argjentinën

07.10.2026 15:38

Legjenda e futbollit argjentinas, Lionel Messi, zhvilloi ndeshjen e fundit për kombëtaren...

Legjenda e futbollit argjentinas, Lionel Messi, zhvilloi ndeshjen e fundit për kombëtaren, duke u përshëndetur prej saj në mënyrën që ka karakterizuar pjesën më të madhe të karrierës së tij madhështore – si një lojtar që vendos fatin e ndeshjeve. Para rreth 80.000 spektatorëve në stadiumin “Monumental”, Argjentina mposhti Beninin me rezultatin 3-0, ndërsa Messi mori pjesë në të tre golat. Në minutën e 71-të, ai shënoi vetë nga penalltia për rezultatin përfundimtar 3-0. Ky ishte goli i tij i 126-të për kombëtaren, në paraqitjen e tij të 208-të dhe të fundit me Argjentinën. 
 
Historia e Messit me kombëtaren filloi më 17 gusht 2005. Gjatë më shumë se dy dekadave, ai u bë rekordmeni argjentinas për numrin e paraqitjeve dhe golave, ndërsa që nga viti 2011 mbajti shiritin e kapitenit. Meso ori pjesë në gjashtë Kupa Bote, ndërsa momenti më i madh erdhi në vitin 2022 në Katar, kur si kapiten e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të kampionit të botës. Me kombëtaren ai fitoi gjithashtu Copa América në vitet 2021 dhe 2024. 
 
Vendimin për t'i dhënë fund karrierës me kombëtaren e kishte bërë publik në gusht, duke thënë se “kishte ardhur koha”. Megjithatë, ai ende nuk po i jep lamtumirën futbollit profesionist – kontrata me Inter Miamin e lidh deri në vitin 2028. Vetëm disa orë para lamtumirës së tij nga kombëtarja argjentinase - Messi 
mori një doktoratë nderi nga Universiteti i Buenos Airesit (UBA) – nderimi më i lartë akademik i këtij institucioni. 
 
Në kompleksin e Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA) në Ezeiza, yllit të futbollit iu dorëzuan një diplomë dhe një medalje në shenjë vlerësimi për ndikimin e tij brenda dhe jashtë fushës. (Gazetar: Mustafa Ademi)