Fillon ndërtimi i autostradës Bukojçan – Kërçovë, Mickoski: Ndikon në zhvillimin ekonomik

12.10.2026 14:35

Fillon ndërtimi i autostradës Bukojçan – Kërçovë...

Fillon ndërtimi i autostradës Bukojçan – Kërçovë. Ky aks i autostradës është pjesë e Korridorit 8, i cili lidh grykën malore Strazhë me Kërçovën. Projekti duhet të realizohet në dy faza – e para e përfshin trasenë nga fshati Cërvevc deri në Kërçovë, ndërsa e dyta nga Strogomishta e Poshtme deri në Cërvevc.

Sipas Mickoskit, një pozicionim i tillë gjeostrategjik mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e industrive moderne.

“Politika e kësaj Qeverie kur u zgjodh në vitin 2024 ishte ta bënte vendin një udhëkryq që do të bazohej në katër shtylla. Atëherë, ne filluam me tre shtylla, por disi me kalimin e kohës e zgjeruam atë qëllim dhe atë sfidë dhe sot po flasim për katër shtylla. Kjo do të thotë të jetë një udhëkryq i dy korridoreve panevropiane - Korridori 8 dhe Korridori 10, për sa i përket infrastrukturës rrugore, infrastrukturës hekurudhore, infrastrukturës energjetike dhe infrastrukturës së gazit.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

“Ky është një nga segmentet e rëndësishme të Korridorit 8, por njëkohësisht edhe një nga pjesët për të cilët është dashur shumë punë për të gjetur zgjidhjen e duhur. Sfidat kanë qenë të mëdha, por pikërisht për këtë arsye, fillimi i punimeve sot ka një rëndësi të veçantë.”, - theksoi zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.

“Po fillojmë me ndërtimin e 11.5 kilometrave. Vitin tjetër do të nisim autostradën Kërçovë - Ohër, ndërsa punime intensive po bëhen edhe në autostradën Tetovë - Gostivar, kështu që sot po fillojmë pjesën që mungon, pra pjesën që do të lidhë këto pjesë të autostradës. Autostrada do të jetë pa pagesë dhe shprehu pritjen e tij që, pas përfundimit të projekteve infrastrukturore, udhëtimi nga Shkupi në Ohër do të zgjasë më pak se një orë e gjysmë.”, - u shpreh drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.

Mjetet janë siguruar përmes kredisë nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) dhe grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)