Bogovinë, Siniçan, nis ndërtimi dhe sanimi i depos së ujit

12.10.2026 14:51

Më shumë se tri dekada pritjeje...

Më shumë se tri dekada pritjeje, banorët e Siniçanit më në fund shohin hapa konkretë drejt zgjidhjes së problemit me ujin e pijshëm. Ka nisur ndërtimi dhe rregullimi i sistemit të ujit sipas standardeve, ndërsa banorët kërkojnë që projekti të përfundojë në kohë dhe të vendosen orëmatës për të parandaluar keqpërdorimin e ujit.

“Kjo ka qenë një ndër kërkesat më jetike që kemi pasur ne si banorë të fshatit Siniçan, pas asaj beteje që zhvilluam gjashtë vite më parë me shumë mund e sakrificë e me ndihmën tuaj si media, mirëpo, në mungesë të ujit dhe cilësisë, na shfaqeshin këto nevoja. Ne si banorë duke pasur parasysh mundin që kemi dhënë për ta sjellë ujin, të njëjtin e kemi konsumuar edhe pse nuk ka qenë në cilësinë e duhur.”, - tha një banor.

“Komuna duhet ta ketë parasysh që të vë dhe orëmatës për ujin e pijes, sepse ne kërkojmë ujin për pije dhe jo për vaditje. Andaj, kryetari duhet ta ketë parasysh këtë që të vendosë orëmatës jo vetëm tek ne, por në të gjithë komunën. Duhen patjetër orëmatës, që të mos keqpërdoret.”, - tha një banor tjetër.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, nuk sqaron arsyet e vonesës së projektit, por premton se punimet do të përfundojnë brenda këtij viti.

“Kryesisht bëhet fjalë për kaptim profesional. Do të bëhet me buxhet të komunës, që do t’i shërbejë rritjes së cilësisë së ujit në fshatin Siniçan. Kemi nisur në këtë periudhë, edhe pse është fundi i vitit, ne do të bëjmë maksimum që ta kryejmë gjatë kësaj kohe që në sezonin e dimrit apo vitin e ardhshëm të jetë projekt i përfunduar.”, - theksoi kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi.

Banorët e Siniçanit protestuan për ditë të tëra vite më parë në bjeshkë për të siguruar ujë të pijshëm, por problemi i mungesës dhe i cilësisë së ujit vazhdoi për vite me radhë. Tashmë, ata presin që projekti i nisur të sjellë zgjidhje të qëndrueshme. (Visar Sadiki, TVM2)