Kamerat e “Qytetit të Sigurt”, nga sot, edhe në Strugë dhe Ohër
Nga sot, 12 tetor, kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt”...

Nga sot, 12 tetor, kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” fillojnë zyrtarisht kontrollet në trafik në Strugë dhe Ohër, si dhe në zonën e Kërçovës dhe Dibrës.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se, pas përfundimit të kontrolleve teknike dhe testimeve përfundimtare, kamerat do të vihen në funksion në rrugët që përfshihen në territorin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.
Me aktivizimin e sistemit synohet të sigurohet mbikëqyrje më e vazhdueshme e trafikut, evidentim më i shpejtë i shkeljeve, rritje e disiplinës së drejtuesve të automjeteve dhe përmirësim i sigurisë rrugore.
Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, sinjalistikën dhe rregullat e trafikut, duke theksuar rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme në rrugë.
Zgjerimi i sistemit “Qyteti i Sigurt” në këto katër qytete është pjesë e planit për shtrirjen e monitorimit elektronik të trafikut edhe në rajone të tjera të Maqedonisë së Veriut.
