Dhuna brutale ndaj dy të rinjve, Iseni: 6 policë janë suspenduar
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni...

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka theksuar se vendimi i MPB-së për suspendimin e 6 policive, të cilët kanë ushtruar dhunë brutale ndaj dy të rinjve nga Saraji, është fitore e integritetit përballë manipulimeve, sepse sipas tij, institucionet menjëherë kanë reaguar.
“6 policë janë suspenduar pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji. Institucionet reaguan në kohë rekord dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Rasti nuk u la pa përgjigje. MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtutjeshme i udhëheq Prokuroria. Kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve, fitore e arsyes së shëndoshë ndaj përpjekjeve për të nxitur tensione ndëretnike.”, - deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Iseni: Procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria
Sa i përket akuzave të opozitës shqiptare dhe kërkesës për dorëheqje, Iseni rikujtoi BDI-në për neglizhencën e saj gjatë periudhës kur ishte në pushtet, për rastet e montuara, vrasjet e pazbardhura dhe mungesën e llogaridhënies të zyrtarëve të saj.
“E tani, meqë BDI-ja kërkoi edhe dorëheqjen time, kam disa fjalë për ju që shpifjen e propagandën e keni në maje të gjuhës. Për 20 vjet ishit në pushtet. Gjatë qeverisjes suaj ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë, ngjarje që shqiptarët nuk do t’i harrojnë.”, - theksoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Bashkimi Demokratik për Integrim paraprakisht kërkoi dorëheqjen e Isenit nga posti i zëvendësministrit të Policisë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
