“Kromberg & Schubert” investon në prodhimin e sistemeve për Audi

15.10.2026 14:15

Pajisje dhe pjesë për automjete e gjigantit gjerman Audi...

Pajisje dhe pjesë për automjete e gjigantit gjerman Audi pritet të prodhohen edhe në vend. Kompania gjermane “Kromberg & Schubert” po zgjeron praninë e saj në tregun vendor, me një investim të ri për të cilin u nënshkrua marrëveshja dhe që parashikon hapjen e rreth 2.000 vendeve të reja të punës. Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi këtë projekt si një mundësi të rëndësishme zhvillimi, jo vetëm për Manastirin dhe rajonin e Pellagonisë, por edhe për ekonominë e vendit.

“Në fabrikën në zonën industriale Zhabeni do të prodhohen sisteme për një model të ri të Audi-së, me kapacitet të planifikuara prej mbi 3.000 njësish në ditë. Besimi që kompania “Kromberg & Schubert” ka te vendi ynë është i madh. Për Manastirin dhe gjithë Pellagoninë, ky investim nënkupton një impuls të ri zhvillimor për ekonominë lokale dhe mundësi shtesë, ndërsa për qytetarët përfaqëson perspektivë për punësim të qëndrueshëm dhe siguri ekonomike. Kompania pritet të ketë kapacitet të madh prodhues dhe do të pajiset me teknologji bashkëkohore për prodhimin e sistemeve të destinuara për industrinë automobilistike.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Kompania pritet të ketë kapacitet të madh prodhues, do të jetë e pajisur me pajisje bashkëkohore të prodhimit, ndërsa, sipas drejtorit komercial, prioritet do të jetë punësimi i kuadrit vendor, veçanërisht i personelit të kualifikuar.

“Është planifikuar që të kemi menaxherë maqedonas. Këtu në Maqedoni kemi kuadër të shkëlqyer të arsimuar dhe dëshirojmë që fuqinë e huaj punëtore ta zëvendësojmë me kuadër vendor. Për këtë investim, me qëllim plotësimin e numrit të nevojshëm të të punësuarve, do t’i kontaktojmë të gjithë inxhinierët, operatorët dhe personat e tjerë të papunë, si dhe ata që ndoshta dëshirojnë ta ndryshojnë vendin e punës. Vendimi për këtë projekt tashmë është marrë dhe investimi do të realizohet këtu, në Maqedoni. Na lini që gjatë punës operative të shohim se nga do ta sigurojmë fuqinë e nevojshme punëtore.”, - theksoi drejtori komercial i “Kromberg & Schubert”, Gjorgji Trenkovski.

Kompania gjermane “Kromberg & Schubert” deri më tani ka realizuar tri projekte investimi në vend, përfshirë fabrikat në zonën industriale Zhabeni në Manastir, ku janë të punësuar rreth 5.500 persona, si dhe në Shkup, me mbi 1.700 të punësuar.

Me investimin e ri, pritjet janë që numri i përgjithshëm i të punësuarve të arrijë në 10 mijë. Kryeministri Mickoski tha se Qeveria do të vazhdojë të angazhohet për tërheqjen e investimeve të reja dhe hapjen e vendeve të punës, duke theksuar se çdo vend i ri pune krijon mundësi shtesë, rrit sigurinë ekonomike të familjeve dhe ofron perspektivë më të mirë për qytetarët. (Rexhep Qamili, TVM2)