Maqedoni
Rikonstruimi i pozitave qeveritare, Kasami paralajmëron takim me Mickoskin
15.10.2026 16:29
Ndryshime të reja kadrovike priten në institucionet qeveritare...

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, për të diskutuar plotësimin dhe zëvendësimin e funksionarëve në pozitat që i takojnë koalicionit.
Në fokus të bisedimeve do të jenë postet e zëvendësministrave, drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, ku, sipas Kasamit, ekziston nevoja për emërime të reja apo ndryshime kadrovike.
“Besoj që brenda javës tjetër do të jetë takimi i radhës me kryeministrin dhe njëherësh kryetarin e VMRO-së si partner të koalicionit, ku do të bashkëbisedojmë për këto tema, pra edhe për zëvendësministrat dhe plotësimin dhe zëvendësimin e zëvendësministrave, por njëherësh edhe për çështjet e tjera, më konkretisht për drejtorët dhe zëvendësdrejtorët, aty ku duhet plotësuar dhe aty ku duhet të bëhet zëvendësimi i tyre.”, - deklaroi bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Përndryshe, rikonstruimi i Qeverisë u realizua më 13 korrik të këtij viti, kur Kuvendi votoi tetë ministra të rinj. Megjithatë, ndryshimet kadrovike nuk u përmbyllën plotësisht.
Të paplotësuara mbetën pozitat e zëvendësministrave në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, pasi Sedat Sulejmani dhe Gjoko Velkovski u emëruan ministra. Plotësimi i këtyre vendeve ishte paralajmëruar për në shtator, por procesi u shty.
Ndërkohë, kryeministri Mickoski kishte paralajmëruar ndryshime edhe në nivelin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, të cilat duhet të harmonizohen me partnerët e koalicionit qeverisës.
ERSAN PAJAZITI
