Maqedoni

Bërvenica të dielën zgjedh kryetarin e ri, sot votojnë të sëmurët dhe personat e pafuqishëm

17.10.2026 13:29

Anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë dalë që në orët e mëngjesit në terren, për t’u mundësuar këtyre qytetarëve të votojnë....

Një ditë para zgjedhjeve të parakohshme që mbahen në Komunën e Bërvenicës, pas vdekjes së ish-kryetarit të komunës, Jovica Ilievski, 88 persona të sëmurë me pamundësi lëvizjeje, si dhe nëntë persona të burgosur, janë paraqitur për të realizuar të drejtën e tyre të votës. Anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë dalë që në orët e mëngjesit në terren, për t’u mundësuar këtyre qytetarëve të votojnë. Kryetarja e Komisionit Zgjedhor Komunal, Nedime Sallai, thotë se deri më tani të gjitha përgatitjet po zhvillohen sipas planifikimit.
 
“Në gjithsej 24 vendvotime në Komunën e Bërvenicës, nga personat me aftësi të kufizuara dhe të sëmurët janë paraqitur gjithsej 88, ndërsa nëntë janë persona të burgosur, të cilët presim që gjatë ditës ta realizojnë të drejtën e tyre të votës. Sipas vendimit, lista zgjedhore në Komunën e Bërvenicës është përmbyllur me gjithsej 16.256 votues. Deri më tani, nga shpallja e zgjedhjeve, gjithçka ka shkuar në rregull. Komisioni Komunal ka përgatitur të gjitha materialet dhe procesi po zhvillohet sipas Ligjit për zgjedhje demokratike. Shpresojmë që edhe nesër i gjithë procesi të shkojë siç na ka hije si qytetarë, ndërsa ne do të jemi në koordinim me të gjitha zhvillimet gjatë votimit.”, u shpreh kryetarja e Komisionit Zgjedhor Komunal, Nedime Sallai.
 
Në zgjedhjet e gjashta me radhë për kryetar të Komunës së Bërvenicës garojnë gjashtë kandidatë, katër të mbështetur nga koalicionet dhe dy kandidatë të pavarur. Zgjedhjet e parakohshme u shpallën pas vdekjes së ish-kryetarit Jovica Ilievski, i cili ndërroi jetë disa muaj më parë si pasojë e një ataku kardiak. Procesi zgjedhor do të vazhdojë nesër, kur qytetarët e Bërvenicës do të kenë mundësinë të votojnë për kryetarin e ri të komunës.
 
VISAR SADIKI