KSHZ: Radiçevski nga VMRO me më së shumti vota në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, 46,58% dalja e votuesve
Komisoni shtetëror Zgjedhor ka dalë me rezultatet përfundimtare....

Komisoni shtetëror Zgjedhor ka dalë me rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës.
Nga të gjitha 24 vendvotimet e përpunuara, del se më së shumti vota ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia jote”, Stojanço Radiçevski, duke lënë pas vetes kandidatin nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahiji.
Radiçevski në total ka fituar 2.945 vota, përkatësisht 38,89% të votave, derisa Jahiji 2.152 vota ose 28,42%. Në vendin e tretë në bazë të votave të fituara, është renditur kandidati nga koalicioni VLEN, Jakup Huseini, nga, me 1.529 vota ose 20,19%.
Pas tyre renditen Jovica Radeski nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, me 707 vota, apo 9,34% të votave të përgjithshme, pastaj kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski, me 57 vota, apo 0,75% si dhe kandidatja tjetër e pavarur Arife Idrizi, me 21 vota, apo 0,28% të votave.
Kryetari i KSHZ-së, Mariçiq, theksoi se votimi është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe qytetarët e kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës pa pengesa.
Të 24 vendvotimet janë mbyllur me kohë, në orën 19:00, ndërsa në KSHZ nuk ka mbërritur asnjë denoncim për parregullsi apo probleme eventuale që mund të kenë ndikuar në procesin zgjedhor.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, të drejtën e votës në zgjedhjet në Bërvenicë e kanë ushtruar 7.565 qytetarë nga gjithsej 16.256 votues të regjistruar, me ç’rast dalja në votime në raundin e parë ka qenë 46,58%. Gjithashtu janë regjistruar edhe 161 fletëvotime të pavlefshme.
Mariçiq rikujtoi afatet për ankesa, duke theksuar se parashtruesit e listave kanë të drejtë të paraqesin ankesa në KSHZ brenda 48 orëve nga përfundimi i votimit, përkatësisht deri të martën, më 20 tetor, në orën 19:00.
KSHZ-ja është e obliguar të marrë vendim brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës, ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen pas përfundimit të të gjitha procedurave.
Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën pasi më 23 qershor të vitit 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.
