Maqedoni
AUV konfiskon mbi pesë tonë ushqime të pasigurta në tregjet e Shkupit
19.10.2026 11:12
Mbi pesë tonë ushqime të pasigurta, kryesisht fruta dhe perime, janë konfiskuar dhe asgjësuar javën e kaluar...

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfiskuar dhe asgjësuar mbi pesë tonë produkte ushqimore, kryesisht fruta dhe perime, gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të zhvilluara javën e kaluar në Tregun e Gjelbër të Shkupit dhe në tregun e Gjorçe Petrovit.
Sipas Agjencisë, kontrollet janë përqendruar në parandalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve ushqimore me origjinë të panjohur, të cilat shiteshin në kushte të papërshtatshme dhe jashtë hapësirave të organizuara të tregjeve.
Nga AUV theksojnë se praktika të tilla paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve dhe krijojnë konkurrencë të pandershme ndaj prodhuesve bujqësorë dhe tregtarëve që veprojnë në përputhje me ligjin.
Kontrollet po realizohen në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal të Qytetit të Shkupit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
Agjencia paralajmëron se aksionet inspektuese do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, si në Shkup ashtu edhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e shitjes së ushqimeve të pasigurta.
