Maqedoni
Zgjedhjet në Bërvenicë, KShZ: Radiçevski dhe Jahiji në balotazh në raundin e dytë
19.10.2026 14:10
KShZ-ja shpalli rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura në Komunën e Bërvenicës...

KShZ-ja shpalli rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura në Komunën e Bërvenicës, duke bërë të ditur numrin e votave të fituara nga të gjashtë kandidatët. Sipas këtyre rezultateve, më së shumti vota ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Stojançe Radiçevski, me gjithsej 2.945 vota, ndërsa në vendin e dytë renditet kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, me gjithsej 2.152 vota. Me këtë, Radiçevski dhe Jahiji hyjnë zyrtarisht në balotazh dhe do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve, më 1 nëntor.
“Në bazë të të dhënave nga procesverbalet e dorëzuara nga këshillat zgjedhorë, kemi konstatuar se nga gjithsej 16.256 votues të regjistruar në listën zgjedhore, dje në Bërvenicë kanë votuar gjithsej 7.572 qytetarë, përkatësisht 46.58 për qind. Sipas rezultateve të përllogaritura dhe të konstatuara, më së shumti vota ka fituar kandidati Stojançe Radiçevski nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, me gjithsej 2.945 vota ose 38.89 për qind. Në vendin e dytë radhitet kandidati Arkin Jahiji nga AKI, me 2.152 vota, ose 28.42 për qind. Në vendin e tretë është kandidati Jakup Huseini nga VLEN-i, me 1.529 vota ose 20.19 për qind. Në vendin e katërt renditet kandidati Jovica Radeski nga LSDM-ja, me 707 vota, ose 9.44 për qind. Në vendin e pestë është Dushan Bogdanovski, nga grupi i votuesve, me 57 vota, ose 0.75 për qind, ndërsa në vendin e gjashtë radhitet kandidatja Arife Idrizi, nga grupi i votuesve, me 21 vota, ose 0.28 për qind.”, - deklaroi kryetari i KShZ-së, Bojan Mariçiq.
Nga ky moment fillon afati prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave lidhur me procedurën e votimit, si dhe për ankesat që kanë të bëjnë me përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit.
“Parashtruesit e listave të kandidatëve, në përputhje me nenin 148 të Kodit Zgjedhor, kanë të drejtë të paraqesin ankesa në KShZ për procedurën e votimit, brenda 48 orëve pas përfundimit të votimit. Ndërsa ankesat për procedurën e përmbledhjes dhe përcaktimit të rezultateve mund të paraqiten brenda 48 orëve nga publikimi i sotëm i rezultateve fillestare zyrtare. Afati për paraqitjen e ankesave për procedurën e votimit përfundon nesër, të martën, në orën 19:00, ndërsa afati për ankesat për procedurën e përcaktimit dhe përmbledhjes së rezultateve përfundon të mërkurën, në orën 12:30.”, - theksoi kryetar i KShZ-së, Bojan Mariçiq.
Të dy llojet e ankesave dorëzohen ekskluzivisht në arkivin e KShZ-së. Në përputhje me kompetencat e saj, KShZ-ja është e obliguar që brenda 72 orëve të përgjigjet për të gjitha ankesat. Raundi i parë i zgjedhjeve të përsëritura në Komunën e Bërvenicës u organizua pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të komunës, Jovica Ilievski, më 23 qershor të këtij viti. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 1 nëntor.
REXHEP QAMILI
