Nëntë përballje në Ligën e Kampionëve, sonte kryendeshja e kontinentit PSG-Barcelona
20.10.2026 13:45
Faza e ligës në Ligën e Kampionëve vazhdon sot me nëntë ndeshje në kuadër të xhiros së tretë...

Në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve, sonte në darkë në stadiumin “Parku i Princave” do të përballen gjigantët e futbollit evropian dhe botëror, Paris Saint-Germain dhe Barcelona. Do të jetë një përballje mes dy skuadrave kryesuese të fazës së ligës tek kampionëve.
Parizienët janë kampionët në fuqi, të cilët e kanë fituar dy herë radhazi titullin, ndërsa paraqitjen në garën elitare e nisën me një fitore bindëse 6-1 ndaj Slovan Bratislavës. Më pas në xhiron e dytë, në një ndeshje të shkëlqyer, triumfuan me rezultatin 4-2 n udhëtim te Manchester City.
“Dëshirojmë fitoren. Kjo është një ndeshje e veçantë. PSG-ja dhe Barcelona janë skuadrat më të mira, me identitet të qartë dhe është kënaqësi t’i shikosh të dyja. Do të jetë një spektakël i shkëlqyer. Besoj se ndeshja do të jetë e hapur deri në fund, pasi të dyja ekipet kanë lojtarë individualisht të shkëlqyer. Përparësia jonë është se luajmë në shtëpi, ku jemi shumë më të forte.”, u shpreh Luis Enrique, trajner i PSG-së.
Edhe Barcelona la përshtypje të shkëlqyer në paraqitjen e parë, duke e mposhtur Feyenoordin holandez me rezultatin 5-1, ndërsa më pas regjistroi edhe një fitore 4-1 në udhëtim te Galatasaray.
“Për mua, do të luajmë kundër njërës prej skuadrave më të mira, ndoshta skuadrës më të mirë. Nëse i keni parë dy vitet e fundit, është skuadra më e mirë në botë. Mendoj se kjo do të jetë një provë e mirë për ne. Do të doja që skuadra ime të luante me vetëbesim, si një ekip që ka fituar 11 ndeshjet e fundit. Kjo është një mundësi për ne që të shohim se në çfarë niveli jemi.”, u shpreh Hansi Flick, trajner i Barcelonës.
Nuk do harruar se gjigandi katalonas në Paris, ka arritur me një formë të shkëlqyeshme me 9 fitore në po aq ndeshje të luajtura në La Liga. Përveç përballjes mes PSG-së dhe Barcelonës, të martën në program janë edhe shtatë ndeshje të tjera të xhiros së tretë. Nëntë ndeshje do të zhvillohen edhe të mërkurën. (Gazetar: Safet Ademi)
