100 autoambulanca të reja për urgjencën, parashihen 50 autoambulanca shtesë në vitin 2027

20.10.2026 14:05

Pacientët do të kenë në dispozicion kapacitete të shtuara...

Pacientët do të kenë në dispozicion kapacitete të shtuara për ndërhyrje urgjente mjekësore, pas realizimit të projektit për furnizimin e shëndetësisë me 100 autoambulanca të reja.

Automjetet janë të pajisura me aparatura moderne për ofrimin e ndihmës së shpejtë dhe synojnë të rrisin kapacitetet e shërbimit, si dhe të zëvendësojnë automjetet e amortizuara.

Shpërndarja e tyre do të bëhet në bazë të nevojave të institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin, ndërsa vënia në funksion do të pasojë pas trajnimit të ekipeve mjekësore për përdorimin e pajisjeve të reja.

“Ky është hapi i parë, prokurimi i 100 automjeteve të cilat janë të pajisura në një nivel ndryshe nga e kaluara. Domethënë automjetet janë të pajisura me EKG, me mbështetje respiratore, me defibrilatorë, kanë edhe zonë komforti, rregullim të ventilimit dhe të klimës. Me këto 100 automjete do të arrijmë në rreth 200 automjete në të gjithë vendin. Domethënë në këtë moment kemi 140 automjete aktive, 60 nga automjetet e reja do të jenë të destinuara për rritjen e kapacitetit të ndihmës urgjente mjekësore, kurse të tjerat do të jenë të destinuara për zëvendësimin e automjeteve të amortizuara.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, furnizimi me autoambulanca është pjesë e investimeve që Qeveria po realizon për përmirësimin e shërbimeve publike. Ai njoftoi gjithashtu se së shpejti vendi do të furnizohet edhe me 150 autobusë të rinj elektrikë, të cilët do të shpërndahen në qytetet e Maqedonisë së Veriut.

“Ka ende shumë probleme për t'u zgjidhur, nuk është zgjidhur gjithçka me këto 100 automjete, kuptohet. Potencialisht është lehtësuar pak a shumë gjendja, por nuk është zgjidhur gjithçka. Përveç atyre 120 automjeteve të reja që MPB-ja i siguroi pas dekadash pakujdesie, ekzistojnë edhe 100 automjete që i mori Posta, gjithashtu 53 automjete që  përdoren tashmë në komunat për pastrimin e mbeturinave, erdhi radha edhe e këtyre 100 automjeteve të ndihmës së shpejtë, e shumë shpejt nga sot do të kemi edhe 150 autobusë të rinj elektrikë, që gjithashtu do të shpërndahen nëpër qytetet në Maqedoni.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Njëherësh u bë e ditur se shqyrtohet mundësia e furnizimit me 50 autoambulanca të tjera gjatë vitit 2027. Në plan janë edhe reforma në shërbimin e urgjencës, përmes vendosjes së standardeve kombëtare për triazhin dhe krijimin e një qendre kombëtare dispeçere për koordinimin e ekipeve mjekësore. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)