Maqedoni
Jurisprudenca në shqip, Mickoski: Maqedonishtja, gjuhë zyrtare në gjyqësor
20.10.2026 15:20
Mickoski ka deklaruar se gjuhë zyrtare në sistemin gjyqësor në vend mbetet maqedonishtja...

Gjuhë zyrtare në sistemin gjyqësor në vend mbetet maqedonishtja, kryeministri Mickoski, duke komentuar kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe. Sipas tij, e drejta për arsim të lartë në gjuhën amtare dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë janë dy çështje të ndryshme, prandaj pjesa e provimit me gojë, ku simulohen konteste civile dhe penale, duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
“Qëndrimi i Qeverisë është i qartë. Sistemi i drejtësisë në Maqedoni është një gjë, ndërsa e drejta për të përfunduar arsimin e lartë në gjuhën amtare është diçka tjetër. Kështu që askush nuk e konteston të drejtën për ta përfunduar arsimin e lartë në gjuhën në të cilën shteti e ka mundësuar atë. Në Maqedoni, arsimi i lartë në fakultetet juridike zhvillohet në tri gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja. Dhe për ne, si Qeveri, e kam thënë disa herë, se është e logjikshme që pjesa me shkrim e provimit të jepet në gjuhën në të cilën është zhvilluar arsimi, ndërsa pjesa me gojë ku simulohen një kontest civil dhe një kontest penal, pasi kjo paraqet simulim para sistemit të jurisprudencës, kjo do të thotë, e drejtë, që nënkupton, drejtësi, dhe kur bisedohet për sistemin e jurisprudencës, kemi princip të “franca lingue”, një gjuhë, ndërsa në Maqedoni ajo gjuhë është maqedonishtja. Pra, sistemi i jurisprudencës mbetet “franca lingue”respektivisht, gjuha, ku gjuha maqedonase është zyrtare.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
BDI: Gjuhë juridike s’mund të jetë vetëm maqedonishtja
Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon ta kundërshtojë propozimin e ministrit Shasivarit para përfaqësuesve të studentëve, nga ku ky subjekt akuzon Ministrinë e Drejtësisë për tentim shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjuhë juridike nuk është vetëm maqedonishtja, thonë ata.
“Nga një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe ligji, ministri po zbret te aktet nënligjore! Kjo nuk është zgjidhje e problemit, por krijim i problemit. Ndërkohë, ministri e paraqet takimin me studentët si një arritje të jashtëzakonshme. Por, që kur takimi me studentët u bë sukses politik, ndërsa zbatimi i Kushtetutës mbeti objekt negociatash? Ministri i Drejtësisë po shndërrohet në ministër të takimeve! Takime, konsultime, biseda dhe premtime, por studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me të njëjtën pengesë: pamundësinë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.”.
BDI-ja vlerëson se shqipja në provimin e jurisprudencës nuk është çështje kompromisi, por çështje e barazisë dhe respektimit të rendit kushtetues, ndërsa zgjidhja të gjendet brenda Kushtetutës dhe ligjit. Në takimin e ministrit të Drejtësisë, Shasivari, me studentët, u bë e ditur se është propozuar që 12 provime të jepen në gjuhën shqipe, ndërsa 2 provime të mbeten në gjuhën maqedonase, gjë që nga përfaqësuesit e studentëve u vlerësua se nuk është zgjidhje e plotë dhe në përputhje me ligjin për gjuhët.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
