Maqedoni

Prokurorët reagojnë ndaj vonesave, kërkojnë vendim për pagat nga Kushtetuesja

20.10.2026 16:11

Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë...

Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që sa më shpejt të shqyrtojë iniciativat për kushtetutshmërinë e ndryshimeve ligjore me të cilat janë ulur për herë të tretë koeficientet për llogaritjen e pagave të prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve.
 
Ata shprehin shqetësim për faktin se, edhe pas më shumë se tetë muajsh, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim përfundimtar për këtë çështje. Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me pagat, por edhe me pavarësinë e Prokurorisë, mungesën e kuadrit dhe mundësinë që këto rrethana të ndikojnë në efikasitetin e procedurave dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. 
 
“Pretendimet në iniciativat për prokurorët publikë janë të pamohueshme, mirëpo pyetja është shumë më e gjerë: A i ka Prokuroria Publike të gjitha kushtet dhe resurset për të kryer funksionin e saj kushtetues në mënyrë të pavarur, të mëvetësishme, profesionale dhe efikase? Mungesa e kuadrit, mungesa e resurseve, rreziku nga rrezikimi kuadrik, përkatësisht largimi i një pjese të punonjësve, çon në një situatë ku ndikohet efikasiteti i procedurave, e me këtë edhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.”, - theksoi kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, Elvin Veli. 
 
Përfaqësuesit e institucioneve të prokurorisë theksojnë se nuk kërkojnë privilegje, por garanci institucionale për ushtrimin e pavarur të funksionit. Ata paralajmërojnë se ulja e pagave, mungesa e stafit dhe kushtet e kufizuara të punës mund të rrezikojnë funksionimin normal të Prokurorisë dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të qytetarëve.
 
Në reagimin e tyre, institucionet kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke marrë parasysh edhe qëndrimet e shprehura më herët nga vetë gjykata lidhur me pavarësinë e Prokurorisë. Çështja pritet të mbetet në vëmendje deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për iniciativat e paraqitura.
 
FARIJE DAUTI BAKIU