Maqedoni
Shënimi i 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase
23.10.2026 11:30
Në vend sot shënohet 23 Tetori – Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase...

Në vend sot shënohet 23 Tetori – Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase, festë shtetërore kushtuar themelimit të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase-Adrianopojase në vitin 1893, në Selanik.
Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase i kushtohet kujtimit të brezave që u angazhuan për lirinë politike dhe vetëvendosjen kombëtare. Idetë dhe veprimtaritë e tyre përbëjnë një pjesë të procesit historik që çoi në krijimin e shtetit bashkëkohor maqedonas.
Në Kuvend është ndarë çmimi shtetëror “23 Tetori”, ndërsa në akademinë solemne, fjalim mbajti kryeministri Hristijan Mickoski.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, me rastin e kësaj dite, deklaroi se respekti ndaj së kaluarës historike duhet të dëshmohet përmes kultivimit të vlerave për të cilat kanë luftuar brezat e mëparshëm. Ajo tha se nderimi i paraardhësve nuk duhet të jetë vetëm shprehje krenarie, por edhe detyrim për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe solidare, në të cilën do të respektohen dinjiteti njerëzor, e drejta dhe morali. Presidentja theksoi se shteti edhe sot përballet me sfida dhe se detyrimi i brezave të tanishëm është të vazhdojnë aspiratën e paraardhësve për një shtet të begatë dhe të sigurojnë një të ardhme të sigurt për brezat e ardhshëm. Në fund të urimit, ajo ua uroi festën qytetarëve, me mesazhin që 23 Tetori të mbetet simbol i përjetshëm i luftës revolucionare maqedonase.
Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi me rastin e kësaj dite, përcjell urimet për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se shënimi i 23 Tetorit është një mundësi për të kujtuar me respekt të kaluarën, por edhe për të riafirmuar përgjegjësinë tonë të përbashkët për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të qëndrueshme dhe të begatë, të mbështetur në respektin e ndërsjellë, unitetin dhe vlerat evropiane.
