Maqedoni
23 Tetori – Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase
23.10.2026 14:48
Sot në Maqedoninë e Veriut shënohet 23 Tetori, Dita e Luftës Revolucionare e Maqedonisë....

Sot në Maqedoninë e Veriut shënohet 23 Tetori, Dita e Luftës Revolucionare e Maqedonisë. Në këtë datë, në vitin 1893, në Selanik u themelua Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase (VMRO), me qëllim arritjen e autonomisë së Maqedonisë përmes veprimtarisë revolucionare. Një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903. Në shënim të kësaj dite, në Teatrin Kombëtar Maqedonas u mbajt akademi solemne me moton “Tanët në tonën!”. Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij, duke iu referuar edhe kontestit me Bullgarinë, theksoi rëndësinë e mësimit nga gabimet e së kaluarës dhe të dialogut për të siguruar të ardhmen e brezave të rinj.
“Detyra ime si kryeministër nuk është të merrem me eshtrat që i përkasin së kaluarës, por të siguroj një të ardhme që u përket fëmijëve tanë. Të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. Prandaj u ulëm në tryezën e dialogut, nga e cila ata për një kohë të gjatë iknin, duke thënë se kjo ishte e pamundur. Nuk them se ky është vetëm suksesi im, por është një hap i përbashkët përpara.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Duke folur për integrimin evropian, Mickoski shtoi se Maqedonia e Veriut e ka vendin në Evropë, duke nënvizuar përkushtimin e Qeverisë për reforma, institucione të forta dhe ruajtjen e dinjitetit e identitetit kombëtar. Në këtë proces, vlerëson se vendi duhet të jetë i durueshëm dhe i matur, në mënyrë që si anëtare e BE-së të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në vendimmarrje dhe të mbrojë interesat e saj. Si shembull, Mickoski përmendi çështjen e përfshirjes së komunitetit bullgar në Kushtetutë, e cila, sipas tij, u vu në pah pas anëtarësimit të Bullgarisë në Union.
“Pse është e rëndësishme të hyjmë në klubin evropian dhe të ulemi në atë tryezë për të biseduar si të barabartë? Sepse, përmes shembujve të fqinjëve tanë që tashmë janë anëtarësuar në Union, prej vitesh para nesh dhe që na krijojnë pengesa, shohim se sa e rëndësishme është të jemi atje. Fqinji ynë lindor deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nuk kishte asnjë vërejtje për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Deri atëherë as që e ngrinte çështjen e komunitetit bullgar në Maqedoni, ndërsa tani pretendojnë se kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe se është e domosdoshme që ata të përfshihen në Kushtetutën tonë. Askush nuk kishte dëgjuar për ndonjë rast të një personi të vetëdeklaruar si pjesëtar të këtij komuniteti, të cilit i ishin mohuar të drejtat.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në fjalimin e tij, Mickoski u ndal edhe te situata e sigurisë në Evropë dhe në Ballkan, duke paralajmëruar për rrezikun e provokimeve dhe përpjekjeve për të bartur probleme të jashtme në vend, përmes imponimit të temave etnike dhe manipulimeve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm dhe të mos bien pre e provokimeve, duke theksuar se përfituesit e krizave nuk duhet të jenë ata që, siç u shpreh, prej dekadash jetojnë në kurriz të popullit. Mickoski tha se nuk do të lejojë lojëra të pandershme dhe aventura politike, ndërsa theksoi se përgjegjësia e Qeverisë është të shpjegojë vendimet, të dëgjojë qytetarët, të pranojë kur ka gabime dhe t’i korrigjojë ato, duke e udhëhequr shtetin me sy hapur ndaj realitetit dhe me ndjeshmëri për jetën dhe nevojat e qytetarëve.
REXHEP QAMILI
