Maqedoni

Shasivari u takua me Varnes-in, në fokus reformat në drejtësi

23.10.2026 16:18

Është diskutuar për prioritetet kryesore të reformave në drejtësi dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh....

Zbatimi i reformave në fokus edhe në takimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari dhe Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është diskutuar për prioritetet kryesore të reformave në drejtësi dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
 
“Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një mbështetje të fuqishme për agjendën reformuese të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekspertiza amerikane dhe mbështetja institucionale kanë rëndësi të veçantë për zbatimin e reformave thelbësore që do të sigurojnë institucione më efikase, siguri më të madhe juridike dhe rezultate konkrete.”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.
 
Theks i veçantë gjatë takimit iu kushtua reformës së legjislacionit penal. Ministri Shasivari ka theksuar nevojën për shfrytëzimin e përvojës dhe ekspertizës amerikane në këtë proces, me qëllim hartimin e zgjidhjeve ligjore bashkëkohore dhe efikase, të cilat do të kontribuojnë në parandalimin dhe ndëshkimin më të suksesshëm të korrupsionit dhe krimit. Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete, asistencës së ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim sigurimin e rezultateve të qëndrueshme dhe të matshme nga reformat.