Ekonomi

Nga mesnata ulen çmimet e benzinës për 5 denarë, dizeli mbetet i pandryshuar

26.10.2026 13:07

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi nga mesnata, më 27 tetor....

Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRrE) ka vendosur uljen e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht për 1,89 për qind, krahasuar me vendimin e datës 19 tetor 2026. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi nga mesnata, më 27 tetor.
 
Sipas vendimit, çmimet e benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 ulen për 5 denarë për litër, ndërsa çmimi i EURODIZELIT mbetet i pandryshuar.
 
Nga mesnata, një litër EUROSUPER BS-95 do të kushtojë 91 denarë, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të shitet për 93 denarë për litër. Çmimi i EURODIZELIT mbetet 99 denarë për litër.
 
Vaji ekstra i lehtë për amvisëri lirohet për 0,50 denarë dhe do të kushtojë 110 denarë për litër.
 
Ndërkohë, çmimi i mazutit M-1 SU rritet për 0,694 denarë për kilogram dhe do të jetë 54,273 denarë për kilogram.
 
Nga KRrE theksojnë se këto janë çmimet maksimale të lejuara, ndërsa tregtarët me shumicë dhe pakicë mund t'i shesin derivatet edhe me çmime më të ulëta.