Ekonomi

Shporta e konsumit, për një familje duhen 58 mijë denarë në muaj

26.10.2026 15:01

Shporta mesatare e konsumit për një familje katër anëtarëshe në shtator ka arritur në 58.117 denarë...

Shporta mesatare e konsumit për një familje katër anëtarëshe në shtator ka arritur në 58.117 denarë, që është për 358 denarë më pak krahasuar me gushtin, por për 1.736 denarë më shumë në raport me janarin. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, pas mbledhjes së Këshillit Ekonomiko-Social. Me  partnerët socialë u diskutuan për disa çështje me rëndësi për punëtorët, punëdhënësit dhe standardin e jetesës së qytetarëve, me theks të veçantë te shporta mesatare e konsumit, e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
 
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se qëllimi i metodologjisë së re nuk është paraqitja e një vlere më të ulët të shportës së konsumit, por pasqyrimi objektiv dhe i bazuar në të dhëna statistikore i shpenzimeve të nevojshme për jetesë.
 
“Qëllimi ynë nuk është të tregojmë një shifër më të ulët, por të sigurojmë një pasqyrë të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në statistika të shpenzimeve të amvisërive. Të dhënat nuk bëhen për të kundërshtuar njëra-tjetrën, por për politika cilësore ekonomike dhe sociale reale.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Sipas Durmishit, të dhënat duhet të jenë të verifikueshme dhe transparente, në mënyrë që institucionet të marrin vendime të përgjegjshme dhe të hartojnë masa që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës dhe ruajtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.
 
SARA KAJOLLI