Maqedoni

Albulena Haxhiu viziton Shkupin, takoi kryeparlamentarin Afrim Gashi

27.10.2026 11:17

Haxhiu zhvilloi një vizitë në Maqedoninë e Veriut...

Kryeparlamentarja e Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi një vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku u prit me ceremoni solemne dhe nderime të larta shtetërore e ushtarake. Haxhiu zhvilloi një takim tet-a-tet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. 

Në kuadër të qëndrimit në Shkup, kryeparlamentarja kosovare do të takohet edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Agjenda përfshin kështu takime në nivel parlamentar, presidencial dhe qeveritar. Pjesë e programit janë edhe takimet me kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, si dhe një vizitë në Muzeun e Artit Bashkëkohor. 
 
Në njoftimin paraprak nuk janë dhënë hollësi për temat konkrete të bisedimeve apo për ndonjë marrëveshje që mund të nënshkruhet. 
 
Ndërkohë, për shkak të vizitës së delegacionit kosovar, në zonën qendrore të Shkupit është paralajmëruar regjim i posaçëm i komunikacionit. Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë udhëzimet dhe urdhrat e zyrtarëve policorë gjatë zbatimit të masave.